Për Kryeministrin Albin Kurti, Zoran Gjingjiq është një figurë e historisë serbe, prej të rrallëve që nuk e përkrahi Millosheviqin dhe i vetmi që i fali Serbisë dy vjet demokraci. Përkujtimi i ish-Kryeministrit serb, që edhe Kurti thotë se nuk e kishte zgjidhur kundërthënien mes liberalizmit perëndimor dhe nacionalizmit serb, u kritikua në Kosovë. Çfarë e shtyu Kurtin që të bëhet Kryeministri i parë kosovar që e përkujton një lider serb?
Aksidenti tragjik në Itali: Dy të rinj goditen për vdekje nga treni, njëri nga ta nga Kosova
Të dielën pasdite, Kryeministri Albin Kurti në profilin e tij në Facebook, aty ku është selektiv në ata që i përkujton, shkroi për ish-Kryeministrin serb, Zoran Gjingjiq, në 20 vjetorin e vrasjes së tij.
Në paragrafin e parë, Kurti e ndërlidhi vrasjen e Gjingjiqit në Beograd, me vrasjen e para një shekulli të Aleksandër Obrenoviqit, mbretit serb që konsiderohet se, si Gjingjiqi, e donte përafrimin e serbëve me Perëndimin.
Kurti vazhdoi shkrimin e tij me detaje mbi shkollën filozofike që e ka influencuar ish-kryeministrin serb, për librin dhe për filmin e preferuar të Gjingjiqit. Studiuesi Shkelzen Gashi, që ka qenë në një periudhë këshilltar i Kryeministrit Kurti, e ka analizuar këtë përkujtim të tij. Atij i duket e panevojshme që Kurti të shkruajë si biograf i Gjingjiqit.
“Kjo mund të jetë një prej arsyeve që postimi i Kurtit ka nxitë gjithë këto reagime. Në të vërtetë, motivi i Kryeministrit Kurti përmes këtij paragrafi ishte që të na impresiononte me njohuritë e tij për Shkollën e Frankfurtit, për Habermas-in e për Tarkovsky-n”, thotë Gashi.
Kurti e kishte përkujtuar edhe më herët Gjingjiqin, sa ishte opozitar – së fundmi në 2019-n, por kjo është hera e parë e tij si Kryeministër.
Postimi, ku një lider kosovar kujton një lider serb pozitivisht, ndau opinionin në dy grupe. Sipas reagimeve, është një grup që e kritikon Kurtin, pse bën diferencën mes Gjingjiqit dhe Millosheviqit dhe bashkëpunëtorëve të tij që tani janë në pushtet, pasi qëndrimet e ish-kryeministrit të vrarë serb nuk dallonin shumë , kur bëhej fjalë për Kosovën.
Sipas Kurtit, Serbia i ka vetëm dy vjet demokraci, të cilat thotë se ia dhuroi Gjingjiqi në pushtet. Përmend se vrasësit e ish-kryeministrit serb ishin pjesëmarrës në masakrat kundër popullsisë shqiptare gjatë luftës.
Shkelzen Gashi thotë se në atë shkrim, Kurti deshi të tregojë se ata që e udhëheqin tani Serbinë janë pasardhës të Millosheviqit. Përkujtimin e Gjingjiqit, e sheh më shumë si mesazh për Evropën.
“Përmes përkujtimit për ish Kryeministrin e Sërbisë, Zoran Đinđić, Kryeministri Kurti ka dashur të tregojë se pothuajse të gjithë politikanët sërbë në Sërbi janë sikur Slobodan Milošević-i. Pra, Kryeministri Kurti e ka përdorë Đinđić-in, për ta goditë Sërbinë dhe për t’i dërguar mesazh BE-së përmes Đinđić-it: Sërbia i vret ata që janë pro integrimit në BE”.
“Prandaj, Kurti e potencon faktin se në kohën e Đinđić-it 75% e popullësisë së Sërbisë ishte pro BE-së, ndërsa tani në kohën e Vučić-it, 75% e popullsisë së Sërbisë është kundër BE-së. Po ashtu, Kurti e potencon se vrasësit e atyre që janë pro integrimit të Sërbisë në BE, janë edhe organizatorë e ekzekutorë të masakrave ndaj shqiptarëve. Për më shumë, Kurti e thotë edhe se këta persona sot i kemi në pushtet në Sërbi”, ka thënë Gashi në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express.
Kundërthënien e pazgjidhur të Gjingjiqit që Kurti e thekson në shkrimin e tij, mes nacionalizmit serb dhe liberalizmit evropian, Gashi thotë se e ka edhe Kurti vetë dhe në këtë pikë ngjan me ish-liderin serb.
“Ajo që më bëri përshtypje te ky përkujtim ishte e meta që Kurti e hetonte te Đinđić-i: ‘…nuk e zgjidhi ndonjëherë kundërthënien ndërmjet liberalizmit (perëndimor) dhe nacionalizmit (serb)’. Këtë po e thotë Albin Kurti, i cili vet për vete nuk e zgjidhi asnjëherë kundërthënien ndërmjet liberalizmit (perëndimor) dhe nacionalizmit (shqiptar)”, ka thënë Gashi.
Duke marrë shkas përkujtimin e Kryeministrit Kurti, ish-zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ka ndarë një eksperiencë që e ka pasur si student në SHBA. Anash saj, Ahmeti ka thënë se Gjingjiqi mund të kujtohet nga ata që s’kanë pozita shtetërore, ndërsa nga Kryeministri, sipas tij, vetëm “në kontekst të caktuar”.
“A duhet të përkujtohet në Kosovë? Ndoshta nga ne që nuk kemi pozita, e nga kryeministri vetëm në një kontekst të caktuar të figurave shpresëdhënëse ballkanike që si regjion i kemi pas të mungesë”, shkroi të hënën Ahmeti.
Megjithatë, ai dyshon se Kryeministri mund ta ketë përkujtuar Gjingjiqin në mënyrë strategjike.
“Në qoftë se po e bën si strategji për tu paraqitur mirë para serbëve e ndërkombëtarëve, mendoj se çdo strategji ka kufi, dhe nuk do dallonte shumë nga ballkanasit e tjerë që përdorin njerëz që nuk janë më për përfitime politike”.
Në reagimet e tjera, qëllimi i Kurtit nuk shihet thjesht “strategjik”.
Profesori i Filozofisë, Blerim Latifi, shkroi menjëherë pas Kryeministrit se ideja që Gjingjiq e ka menduar Kosovën jashtë kornizave të nacionalizmit serb është një mit, në të cilin, sipas tij, duket se beson edhe Kurti.
“Ideja se Gjingjiq mendonte për Kosovën jashtë skemave të nacionalizmit serb, është një mit të cilin e ushqeu edhe më shumë vrasja e tij. Sot e pamë se edhe kryeministri ynë po besojka në këtë mit”.
Përkujtimi i Gjingjiqit nga Kurti ka risjell në Kosovë deklarata të vetë ish-kryeministrit dhe të tjerëve, për të “treguar” se ish-lideri serb mund të dallonte nga paraardhësit dhe pasardhësit e tij se si e paraqiste Serbinë, por s’dallonte për nga qasja karshi Kosovës.
Disa vjet më parë, politikani nga Vojvodina, Nenad Çanak, ka thënë se gjatë një takimi të opozitarëve, kur është folur për fshehjen e varrezave masive të shqiptarëve në Serbi, Gjingjiq ka thënë që të hetohen pa “iu dhënë publicitet”.
“Atëherë, si quhet… Zoran Gjingjiqi, që rrinte pak anash sepse nuk donte që ta impononte mendimin e tij edhe pse ka pasur peshë të madhe tha jo, jo…këtë punë duhet hetuar por nuk duhet t’i japim shumë publicitet, sepse kush do të investojë në një vend ku kur e fut lopatën në tokë nxjerr një kafkë fundi i citatit” thotë Çanak derisa i citon fjalët e ish-kryeministrit serb.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, thotë se Kurti me përkujtimin e Gjingjiqit, ka dashur të tregohet një internacionalist i rajonit, që panevojshëm rehabiliton figurën e ish-kryeministrit serb.
“Shkrimi i Kurtit është mashtrim dhe deformim i fakteve historike, është tentim për të kamufluar veten si një internacionalist i rajonit që në tryezën e munguar ku ulën vajtuesit e vegjëlisë së përvuajtur flasin për aftësinë për të gjetur edhe heronjët e armikut. Kjo është vogëlsi, ky është akt i turpërimit me një inferioritet të paparë. Rehabilitim pa nevojë!”, ka shkruar Abazi.
Tutje, ai ka pyetur nëse ka reaguar Gjingjiq për krimet ndaj shqiptarëve, ndonëse thotë se kishte dosjet e tyre.
“Sa herë Gjingjiiq ka kërkuar falje për vrasjen e Shqiptarëve, për kamionat frigorifer në lumenjët e Serbisë apo për varrezat masive në Batajnicë? Ai i ka pasë në tavolinën e tij të gjitha dosjet e këtyre veprimeve dhe ka vendosur të heshtë dhe të luaj lojën bizare të njohur të elitave Serbe” ka shtuar ai.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka shkruar se në qasjen për Kosovës, Gjingjiqi, si paraardhësit dhe pasardhësit e tij në pushtetin serbë, ishin të njëjtën.
“Në raport me Kosovën dhe shqiptarët, Vuçiqi, Tadiqi, Gjingjiqi, Millosheviqi, Ivanoviqi, Çubrilloviqi, Rankoviqi, dhe shumë të tjerë, janë të NJEJTË!”.
Mes komenteve që shkrimi i Kurtit i nxiti, në publik janë rikthyer deklarata të Gjingjiqit për Kosovën. Ndër to është një paragraf i botuar në një gazetë serbe, ku ish-Kryeministri serb citohet të ketë thënë:
“Nëse ushtria jonë, me 100 apo 200 MIG-a nuk mund të bombardojë artilerinë kroate e cila “qëllon refugjatët serbë”, atëherë shtrohet pyetja çfarë do të bëjmë nesër nëse Shqipëria vendos ultimatum për Kosovën. A do të thotë Bora [Borisav] Joviqi [ish-kryetari serb i Kryesisë së Jugosllavisë] se duhet të negociojmë sepse Shqipëria është shumë e fortë që të luftojmë me të?”.