Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në fjalën përfundimtare ka kërkuar dënimin e ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, dy ish-sekretarëve të ministrisë, Demush Shasha dhe Kushtrim Cukaj, si dhe Fitim Mustafës e Nuhi Osmanit, të cilët po akuzohen për korrupsion.
Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarve ka kërkuar lirimin e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, prokurori special Dren Paca, ka bërë riformulimin jothelbësor të aktakuzës, të cilën në formë të shkruar ia dorëzoi gjykatës.
Lulëzon prostitucioni: Arrestohen një 23-vjeçare dhe një 38-vjeçar në Gjilan
Sipas prokurorit Paca, riformulimi është i karakterit udhëzues apo sqarues, në kuptim të precizimit të akteve ligjore dhe nënligjore, respektivisht dispozitave blankete që të pandehurit i kanë shkelur, të cilat ishin pjesë e saj, e provave të aktakuzës, mirëpo tani e shohin të nevojshëm t’i theksojnë edhe në dispozitivët e saj.
Më pas, seanca e së hënës ka vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare nga ana e palëve në procedurë.
Prokurori Paca, fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, si dhe ka bërë precizimin në pjesën ku është thënë “me dënim me burgim 5 vite”, duhet të jetë “për secilin veç e veç”, ndërsa pjesa tjetër tha se mbetet e pandryshuar.
Ai ka thënë se të akuzuarit janë fajtorë dhe ka propozuar që të njëjtit të shpallen fajtorë për shkak se nga provat materiale dhe personale është provuar mjaftueshëm se të njëjtin kanë kryer veprën penale që iu vihet në barrë.
Po ashtu, prokurori Paca ka thënë se e akuzuara Hoxha, duke tejkaluar kompetencat e saj ligjore, ka iniciuar procedurën, ka përcaktuar llojin e procedurës, si dhe ka përcaktuar emrat e kompanive me të cilat duhej lidhur kontrata, ndërsa të akuzuarit Shasha, Cukaj, Osmani dhe Mustafa, e kanë mundësuar tejkalimin e kompetencave të saj.
I njëjti theksoi se nëse tolerojnë një veprim të tillë, do të krijojnë praktikë që në të ardhmen me kontrata do të mund të shpërblehen të gjithë ata që një ministër ka dëshirë t’i shpërblejë dhe do t’i mbyllin derën parimeve themelore që i garanton Ligji i Prokurimit.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarës Hoxha, avokati Florent Latifaj, ka thënë se mendimi i Gjykatës Supreme në doracak e shpjegon çështjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ku thotë se për ekzistimin e kësaj vepre penale përveç dashjes nevojitet edhe qëllimi i kryerjes, konkretisht se përmes kryerjes së kësaj vepre të përfitohet apo t’i bëhet dëm dikujt.
Sipas tij, në rastin konkret motivi për të kryer veprën penale është zero, me arsyetimin se qëllimi i këtyre njerëzve ka qenë të përfitojë ky vend.
Në fund, avokati Latifaj i ka propozuar gjykatës që të mbrojturën e tij Hoxha, ta lirojë nga akuza.
Gjithashtu, mbrojtësit e të akuzuarve Mustafa, Shasha, Cukaj dhe Osmani, avokatët Mehdi Geci, Tahir Rrecaj, Albana Kelmedi dhe Hajzer Salihu, i kanë propozuar gjykatës që të mbrojturit e tyre t’i lirojë nga akuza.
Avokati Geci, ka thënë se në këtë shqyrtim gjyqësor, pas dëgjimit të dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria dhe administrim të provave, është vërtetuar se i mbrojturi i tij Mustafa, nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Ndërsa, avokati Rrecaj ka thënë se nuk është vërtetuar përtej dyshimit se i mbrojturi i tij Shasha, ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Po ashtu, avokatja Kelmendi ka thënë se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, nga provat materiale dhe personale në asnjë pjesë të aktakuzës nuk ka mundur të përcaktohet elementi objektiv dhe subjektiv i aktakuzës, e që sipas saj është kusht për ekzistimin e veprës penale.
Kurse, avokati Salihu ka thënë se pas analizimit të secilës provë veç e veç, ndaj të mbrojturit të tij Osmani, duhet të nxjerret aktgjykim lirues.
Më pas shqyrtimi gjyqësor u konsiderua i përfunduar, kurse shpalljen e aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti, lidhur me këtë rast e caktoi të bëhet më 28 prill 2023.
Ndryshe, në seancën e 7 prillit 2023, të akuzuarit Hoxha, Shasha, Cukaj, Mustafa dhe Osmani, ishin mbrojtur në heshtje nga akuzat për korrupsion.
Të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 1 shtator 2021.
Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa po akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.
Kurse, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 2 të KPRK-së./Botapress.info/