Profesori i ekonomisë: Rritja e pagës minimale mund të shtojë punësimin ilegal

Profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini, ka komentuar rritjen e pagës minimale në Kosovë, duke vlerësuar ndikimin që pritet të ketë në standardin e jetesës, çmimet dhe tregun e punës.

Në Tëvë1, Misini ka thënë se rritja e pagës minimale ka reflektuar menjëherë në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve.
Sipas tij, në ekonomi konsiderohet se rritja e pagave pa rritje të produktivitetit prodhon inflacion.

“Rritja e pagës minimale ka reflektuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në ekonomi e analizojmë një gjë të tillë: nëse paga rritet pa produktivitet, prodhon inflacion. Për shembull, KESCO, kur kërkoi rritjen e çmimit të energjisë elektrike, një nga arsyetimet kryesore ishte pikërisht rritja e pagës minimale dhe kostove operative. E njëjta gjë po ndodh edhe në supermarkete dhe biznese të tjera”, ka deklaruar ai.

Misini ka shtuar se shumë biznese të vogla dhe të mesme mund ta kenë të vështirë ta përballojnë pagën minimale prej 500 eurosh, gjë që, sipas tij, mund të çojë në largimin e punëtorëve, rritjen e papunësisë dhe zgjerimin e punësimit joformal.

“Shumica e bizneseve të vogla dhe të mesme nuk mund ta përballojnë këtë kosto. Si pasojë, disa mund të detyrohen të largojnë punëtorë, ndërsa të tjera mund t’i mbajnë ata në mënyrë ilegale, pa kontrata pune. Kjo mund të ndodhë sidomos në sektorin e ndërtimit”, është shprehur ai.

I pyetur nëse pret më shumë inspektime për zbatimin e pagës minimale dhe kontratave të punës, Misini është shprehur kritik ndaj punës së Inspektoratit të Punës.

“Unë mendoj se Inspektorati, në përgjithësi, ka dështuar. Kemi parë rastet e fundit të humbjes së jetës në vendet e punës për shkak të mungesës së masave mbrojtëse, çka tregon se mbikëqyrja nuk ka qenë në nivelin e duhur”, ka thënë ai.

Ndryshe, nga sot, 1 korrik, në Kosovë ka hyrë në fuqi paga minimale prej 500 eurosh bruto për të gjithë punëtorët që kanë kontratë pune.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, tha se nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat.

Ai rikujtoi se paga minimale kishte mbetur e pandryshuar për më shumë se një dekadë, duke theksuar se ndryshimi i fundit para ardhjes së qeverisë së tij ishte bërë në vitin 2011.

“Paga minimale në vendin tonë ngeli e pandryshuar për më shumë se 10 vjet. 2011 ishte viti i fundit kur ajo u ndryshua. Që prej atëherë ajo mbeti 130 përkatësisht 170 euro (varësisht se a je nën apo mbi 35 vjeç). Ndërkaq, gjatë qeverisjes sonë u ngrit katër herë: nga 130 e 170 euro në 250 euro, mandej në 350 dhe së fundi në 425 euro. E sot paga minimale u bë 500 euro. Prej kësaj rritjeje do të përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, gjatë mandatit të qeverisë aktuale paga minimale është trefishuar.

Të tjera