Ish-zëvendëshefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph, ka thënë se çelësi i zgjidhjes së çështjes mes Kosovës dhe Serbisë qëndron te katër shtete të BE-së, të cilat janë edhe anëtare të NATO-s dhe nuk e njohin Kosovën.
Në një intervistë për “Al Jazeera”, ai tha se nëse Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia e njohin Kosovën, atëherë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më nuk do ta kishte një levë aq të fortë në duart e veta.
“Problemi vjen brenda BE-së. Është fakti se katër shtete të NATO-s, që janë edhe pjesë e BE-së, si Greqia, Rumania, Sllovakia e Spanja, nuk e njohin Kosovën. Dhe me kushtet që i kanë për njohje, pasi që Serbia ta njohë Kosovën, kjo i jep Vuçiqit gjithë levën, e ai nuk është i interesuar ta zgjidhë çështjen. Ai po e shkel vazhdimisht marrëveshjen që u bë në mars, që është formë e njohjes de facto, por nuk po dëshiron me zbatu”, ka thënë Joseph.
Ai po ashtu ka thënë se të gjithë e dinë se Serbia s’guxon të dërgojë forca në Kosovë pasi futet në konfrontim direkt me NATO-n.
Vuçiqi e di dhe e dinë të gjithë, se ai nuk mund të dërgojë trupat përtej kufirit, pasi do të ketë konfrontim direkt me NATO-n dhe kjo është gjëja e fundit që do ai”, tha Joseph.
Joseph shtoi se Kosova ka të drejtë të shtrijë kontrollin në veri, porse “ka një padurim në Prishtinë për të bërë këtë”.
“Kryeministri Albin Kurti nuk e respektoi atë nevojë për koordinim me partnerët ndërkombëtarë, ndonëse formalisht e ligjërisht ka të drejtë. Për këtë erdhën kritikat e ashpra nga SHBA-ja”, tha Joseph.
“Kosova është pala më e vogël, më e lehtë , më afër SHBA-së dhe më lehtë të kontrollosh e t’i bësh presion. Por, nuk ka presion ndaj Beogradit e Vuçiqit që po e përkrah Rusinë, duke shkuar kundër BE-së. E sërish kjo është për shkak të vizioneve brenda BE-së, brenda NATO-s sa i përket Kosovën. Po të kishte një pozitë të bashkuar, nëse ato katër shtete do ta njihnin Kosovën, atëherë do të kishte zgjidhje të shpejtë të çështjes”, tha Joseph.