Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë ka thënë se janë të gatshëm të bisedojnë me Serbinë kurdo që zyra e kryediplomatit Josep Borell do t’i thërrasë, shkruan Gazeta Botapress.info
Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës do dialog parimor ku barazia mes palëve është fakt i pakontestuar.“Kur zyra e përfaqësuesit të Lartë Borell të na thërrasë në takim ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në bisedime. Ne duam dialogun parimor kur barazia e palëve është fakt i padiskutueshëm”, tha Kurti.
Tutje, Kurti ka thënë se Asociacioni nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Ai ka thënë se serbët kanë nevojë për punësim dhe jo për Asociacione që gëzojnë dikën në Beograd.
“Sa i përket Asociacionit, ju e dini shumë mirë që Gjykata Kushtetuese më 2015 ka publikuar Aktgjykimin e vet me të cilin ka thënë se asnjëri prej 7 kapitujve të Asociacionit nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në 23 nene nuk ka përputhje ai Asociacion dhe rrjedhimisht nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Unë besoj që edhe serbët porsi shqiptarët, turqit, boshnjakët dhe qytetarët e Kosovës kanë nevojë për punësim dhe jo për Asociacione që na prishin raportet tona e na shtojnë tensionet dhe e gëzojnë dikë në Beograd. Nuk ka qenë asnjëherë kërkesë e serbëve të Kosovës, serbët e Kosovës duan punë dhe drejtësi”, tha ai.
Shefi i qeverisë kosovare tha tutje se është kryeministër edhe i serbëve të Kosovës nëse ata kanë kërkesa.
“Qeveria është e përkushtuar që kushtetueshmëria në gjithë territorin e vendit të jetë e zbatuar në mënyrë të plotë dhe për të gjitha kërkesat e serbëve nga Kosova unë jam kryeministër edhe i atyre”, tha Kurti para gazetarëve.
Përndryshe, në Kosovë këto ditë kanë qëndruar dy emisrët e lartë perëndimore, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak. Që të dy kanë kërkuar vazhdimin e dialogut. /Botapress.info/