Nëse çmimi i karburanteve nuk ndryshon në berzë, apo Qeveria nuk bën lirime nga akciza – atëherë edhe shtrenjtimi i biletave të autobusëve është i pashmangshëm, ka thënë, Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve.
Kjo shoqatë i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta largojë akcizën, pasi rritja e çmimeve të karburanteve po iu vështirëson funksionimin në treg. Thonë që s’munden më – kosto është e lartë.
“Çështja e biletave është çështje individuale e secilës kompani, por me ketë rritje të çmimit të naftës është e pashmangshme rritja e biletave të autobusit nëse nuk do të ketë largim të akcizës”, ka thënë Kurtishaj teksa ka treguar që si shoqatë s’rrisin çmime.
Si përfaqësues i shoqatës, Kurtishaj më 14 mars të këtij viti kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj Ministrisë së Infrastrukturës – për të kërkuar anulimin vendimit që disa kategori shoqërore të paguajnë 50 për qind më pak për bileta të autobusit.
Në Ligjin për Transportin, neni 22 paragrafi 3 – institucioni shtetëror mund të vendosë çmime për disa kategori shoqërore. Kurtishaj ka deklaruar se “ekzekutivi mund të subvencionojë kompanitë e udhëtimit e të zbritet çmimi i biletave”. Kjo gatishmëri s’është parë ende.
Më pas, Hysen Durmishi, zëvendësministër i MMPHI-së ishte tërhequr nga vendimi për caktimin e çmimeve të biletave për disa kategori, por qeveria s’është tërhequr nga logjika që të diktojë çmime.
Tash synohet zvogëlimi i derivateve të çmimit të naftës përmes vendimit ekzekutiv – kjo pjesë e politikave qeveritare për ta luftuar inflacionin.
Në bazë të nenit 10 të Kushtetutës, Kosova përcaktohet si ekonomi e tregut të lirë. Qeveria duhet ta ruajë këtë formë organizimi, thotë Fadil Berjani, drejtues i Shoqatës së Naftëtarëve/ E, nëse veç caktohet marzha e fitimit atëherë kërkuan që për shitjen me shumicë të jetë 3 për qind e për atë me shumicë 12 për qind.
“Sepse vendimi i kaluar ka qenë i dëmshëm për shumë pika karburanti dhe nuk ka mujt ai vendim me ulë çmimin e derivateve, sepse çmimin e dikton berza, marzha e fitimit e kanë kërkuar në Kuvendin e shoqatës të jetë 12% me pakicë dhe importi 3%. Këto janë kërkuar në takimin e fundit”, ka thënë Berjani.
Të martën çmimi i naftës në shumicën e pompave të benzinës është parë të jetë 1 euro e 84 centë.
Shteti s’e largon akcizën
Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, të hënën përmes një postimi në Facebook e ka bërë të qartë që akciza s’largohet.
Menaxheri i kuletës së shtetit ka thënë se heqja e akcizës “ia trashë fitimin tregtarëve”.
Këtë shtim fitimi e ka lidhur me pushtetet e kaluara në Kosovë, duke thënë se opozita e tashme dëshiron t’i favorizojë disa ndërmarrje.
“Ndërsa thirrjet e opozitës që Qeveria të ulë TVSH-në apo akcizën në naftë ose produkte tjera, nuk i shërbejnë interesit të qytetarëve. Përkundrazi, një veprim i tillë vetëm sa do të trashte fitimet e tregtarëve në njërën anë, dhe do të kufizonte mundësitë e shtetit që t’i mbështesë familjet në nevojë në anën tjetër”, ka thënë Murati.
Akciza nga perspektiva e shkencës së ekonomisë
Akciza është taksë për produktet e luksit, por a janë karburantet luks? E ka shtruar si çështje Nexhit Shala, themelues i Institutit KAF.
Në një prononcim për Gazetën Express, ai ka thënë se karburantet ndikojnë në një çmimet e shumë produkteve e shërbimeve të tjera.
“Karburantet përfaqësojnë sot një lëndë të parë thelbësore të nevojshme për realizimin e çdo produkti, kështu që kemi akciza në mënyrë indirekte pothuajse në të gjitha mallrat. Për këtë arsye, një rritje ose një ulje e normës së akcizës prodhon efekte zinxhir në çmime”, ka thënë ai.
Ka propozuar që të rritet akciza për disa produkte të tjera si makinat e shtrenjta, duhani, alkooli e vikendet jashtë Kosovës.
Rrezikimi i të ardhurave buxhetore është shqetësim i ekonomistit Erton Bega. Këtë ai e ka argumentuar duke treguar se 20 për qind e të ardhurave buxhetore vinë prej akcizës.
“Heqja e akcizës në tërësi do të sillte dëme të mëdha buxhetore, pasi rreth 20 për qind e të hyrave të shtetit varen nga akciza dhe nuk do të ishte as strategjike e as serioze të kërkohet një masë e tillë, pasi që krahas zbutjes së krizës së çmimeve duhet të mendojmë edhe për funksionimin e shtetit për të paguar pagat, skemat sociale dhe për të investuar në projekte kapitale që sjellin efekte në ekonomi”, ka thënë ai.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni i produkteve ushqimore ka shkuar në 18.7 për qind./Botapress.info/