Departamenti Amerikan i Shtetit ka ripërsëritur kërkesën e respektimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik të arritur në Washington ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe më shtator të 2020-ës. Kërkesa e tyre ka ardhur në vazhdën e përmendjes së njohjeve të reja nga Kosova dhe fushatës kundër tyre nga ana e Serbisë. Në njërën nga pikat e marrëveshjes së Washingtonit është edhe respektimi i moratoriumit.
Të pyetur lidhur me qëndrimin ndaj vazhdimit të moratoriumit, i cili ka skaduar në shtator të vitit të kaluar, nga DASH-i kanë thënë se nevoja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve nuk ka datë skadimi. Moratoriumi, si pika e parafundit e marrëveshjes së Washingtonit, kërkonte nga Kosova që të mos kërkojë anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare, ndërsa nga Serbia të ndalojë fushatën për çnjohje.
Nga ky departament, në shtator të vitit të kaluar inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë me moratoriumin mbi çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar së fundmi që ka hartuar strategjinë për njohje të reja. Krahas kësaj, kanë thënë se Kosova shumë shpejtë pritet të vendosë edhe marrëdhënie bilaterale me disa shtete.
Këto i bëri të ditur zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, gjatë ditës së djeshme.
Në anën tjetër, Serbia ka paralajmëruar fushatë çnjohjeje nëse Kosova arrin të sigurojë njohje të reja. Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq ka deklaruar se Serbia nuk do të rrijë duarkryq nëse Kosova nis të sigurojë njohje të reja.
LEXO EDHE KETE
“Nëse dikush mendon se në atë mënyrë do të na shtyjë pas murit, na kthen dorën për të rënë dakord për diçka, duhet ta dijë se edhe ne mund të ndryshojmë mënyrën e sjelljes”, deklaroi së fundmi ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në dhjetor të vitit të kaluar në Kuvend deklaroi se pranimi i moratoriumit në Washington ka cenuar rendin kushtetues të vendit.
“Duke aplikuar një politikë të jashtme tërësisht pasive të çakorduar në të kaluarën, e fatkeqësisht duke e pranuar edhe moratoriumin që cenonte rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për të konsolidimin për subjektivitetin tonë ndërkombëtar, jo vetëm që u dëmtuan interesat tona strategjike por edhe ishin dikur dritat e politikës sonë të jashtme”, deklaronte ajo.
Po ashtu, ajo para një jave në një intervistë për RTK tha se marrëveshja për moratoriumin ka stopuar edhe njohjet.
“Njohje do të ketë. Por s’mund ta caktoj ditën. Duhet ta kuptojmë që është bërë dëmi i madh me idenë e moratoriumit. Ka përfunduar por ka krijuar precedent sepse shtetet që I takuam kanë thënë pse nuk e vazhduat këtë deri në fund të dialogut”, ka thënë Osmani.
Qasja e ish-administratës amerikane, sipas zyrtarëve të saj në atë kohë, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi ishte fokusuar ekskluzivisht në bashkëpunimin ekonomik midis dy palëve.
Administrata Biden ka përkrahur totalisht Marrëveshjen e Washingtonit dhe ka kërkuar që të zbatohet në plotni./Botapress.info/
LEXO EDHE KETE