Nju Jork, 12 korrik 2025 – Presidentje e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi të shtunën në Nju Jork një takim të ngrohtë me mërgatën shqiptare në Amerikë.
Me këtë rast ajo i dekoroi disa prej figurave të dalluara të mërgatës për kontributin që kanë dhënë për lirinë e pavarësinë e Kosovës dhe për ndërtimin e urës së miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Shqiptarët e Amerikës kanë qenë forca vendimtare në mbështetje të kapitujve më të lavdishëm të historisë sonë. Proceset, që nga përpjekjet për çlirim e deri te shpallja e pavarësisë, që nga ndërtimi i demokracisë deri te forcimi i shtetit tonë në arenën ndërkombëtare e mbajnë vulën e mërgatës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Presidentja Osmani, në fjalën e saj të rastit.
Ajo tha se mërgata shqiptare në Amerikë “u bë zëri i besës dhe i shpresës” për popullin shqiptar në Kosovë, gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta, kur qenia shqiptare në Kosovë rrezikohej nga regjimi shtypës e gjenocidal i Millosheviqit.
Presidentja Osmani theksoi se shqiptarët në Amerikë i qëndruan besnikë idealit kombëtar dhe punuan e vepruan pa u lodhur për lavdinë e kombit dhe jo për lavdinë e tyre personale.
“Nderi i një kombi matet me ata që i qëndrojnë pranë atij kombi edhe kur janë larg. Janë disa njerëz që kurrë nuk kërkojnë lavdi, por me veprat e tyre ata ia japin lavdinë atdheut. Gra dhe burra që ndërtojnë ura në heshtje, por me punë e mbrojnë dinjitetin kombëtar dhe e mbajnë të gjallë emrin e shtetit dhe kombit të tyre kudo që jetojnë”, theksoi ajo.
Presidentja e Kosovës e vlerësoi kontributin e pamatshëm të mërgatës shqiptare në Amerikë në afirmimin e çështjes së Kosovës në institucionet më të larta shtetërore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Pa mërgatën shqiptare në Amerikë nuk do të hapeshin dyert e Kogresit dhe as dyert e Shtëpisë së Bardhë, dyert që pastaj u shndërruan në dritë udhërrëfyese në rrugën tonë drejt lirisë e pavarësisë. Pa mërgatën shqiptare në Amerikë, e cila ndërtoi urën e besimit mes Kosovës dhe SHBA-ve, shumë gjëra edhe sot do të ishin të largëta, më të vështira, ndoshta edhe të pamundura”, theksoi ajo.
Presidentja Osmani theksoi se këtë herë u shprehu mirënjohjet e popullit të Kosovës vetëm disa prej aktivistëve politikë e humanitarë, afaristëve, liderëve fetarë, iltelektualëve, gazetarëve, artistëve dhe patriotëve që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e pavarësinë e Kosovës.
“Ju, të nderuar vëllezër dhe motra, jeni frymëzues për brezat që do të vijnë pas nesh. Veprat tuaja nuk janë vetëm në arkivat e historisë, por në vetë themelet e shtetit tonë. Ju jeni dëshmia e gjallë se mërgata është shtyllë e fuqishme e Republikës që e gëzojmë sot. Jeni zemra që rreh njësoj për atdheun pavarësisht largësisë. Prandaj, në emër të Republikës së Kosovës, në emër të popullit të lirë të Republikës së Kosovës dhe, mbi të gjitha, në emër të brezave që do të rriten në liri falë punës, mundit dhe sakrificës suaj, ju falënderit!”, u shpreh ajo.
“Ju nderojmë dhe ju përulemi me respektin më të thellë që mund t’i japë një komb bijve dhe bijave të tij më të mirë”, theksoi ajo.
Në mesin e të dekoruarve nga Presidentja Osmani ishte edhe botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami. Ai u dekorua me Medaljen Presidenciale të Meritave “për kontributin afatgjatë si gazetar, publicist dhe botues dhe për rolin në fuqizimin e komunitetit shqiptaro-amerikan në promovimin e çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Lista e të dekoruarve:
Ilir Zherka – Urdhri i Pavarësisë
Bruno Selimaj – Urdhri ‘Hasan Prishtina’
Mark Gjonaj – Urdhri ‘Hasan Prishtina’
Rexhep Balidemaj – Urdhri ‘Hasan Prishtina’
Demë Balidemaj – Urdhri ‘Hasan Prishtina’
Ekrem Bardha – Urdhri ‘Hasan Prishtina’
Rrustem Ibraj – Urdhri ‘Hasan Prishtina’
Riçard Llukaj – Urdhri ‘Hasan Prishtina’
Avni Mustafa – Urdhri ‘Hasan Prishtina’
Haxhi Dauti – Urdhri ‘Hasan Prishtina’
Halil Mula – Urdhri ‘Hasan Prishtina’
Luz Thaçi – Urdhri ‘Hasan Prishtina’
Ramazan Bekteshi – Urdhri ‘Hasan Prishtina’
Dr Tahir Kukaj – Urdhri ‘Hasan Prishtina’
Rrustem Gecaj – Urdhri ‘Dr Ibrahim Rugova’
Dr Sami Repishti – Urdhri ‘Dr Ibrahim Rugova’
Serxho Bytyqi – Urdhri ‘Dr Ibrahim Rugova’
Sabit Bytyqi – Urdhri ‘Dr Ibrahim Rugova’
Osman Osmani – Urdhri ‘Dr Ibrahim Rugova’
Agim Aliçkaj – Urdhri ‘Dr Ibrahim Rugova’
Dom Pjetër Popaj – Urdhri ‘Dr Ibrahim Rugova’
Fadil Berisha – Medalja Presidenciale e Meritave
Shqipe Malushi – Medalja Presidenciale e Meritave
Kozeta Zylo – Medalja Presidenciale e Meritave
Drita Gjongecaj – Medalja Presidenciale e Meritave
Lumi Hadri – Medalja Presidenciale e Meritave
Shqipe Biba – Medalja Presidenciale e Meritave
Vehbi Bajrami – Medalja Presidenciale e Meritave
Vëllezërit Bruçaj – Medalja Presidenciale ‘Anton Çetta’
Fjala e plotë e Presidentes Osmani:
Të dashur bashkatdhetarë,
Të dashur vëllezër dhe motra,
Të nderuar të pranishëm,
Përgjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta, kur populli shqiptar në Kosovë rrezikohej nga regjimi shtypës e gjenocidal i Millosheviqit, mërgata jonë këtu, në Amerikë, u bë zëri i besës dhe i shpresës, jo vetëm për mbijetesën tonë, por edhe për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë tonë, për të cilën dhanë jetën breza të tërë.
Pikërisht atëherë shqiptarët në Amerikë mblidheshin, protestonin, lobonin e nuk lenin derë pa hapur për Kosovën – Republikë. Një ndër vendet ku mblidheshin ishte pikërisht ky vend ku jemi mbledhur ne sot.
I nderuar Bruno, faleminderit që edhe sot i keni hapur dyert për ne, ashtu siç i keni hapur dikur dyert, por edhe zemrat, për shqiptarët kudo që janë, kur ky vend u bë zë i shpresës për mërgatën tonë!
Këtu u prit Presidenti Historik, Ibrahim Rugova, u pritën diplomatë e liderë nga Kosova e Amerika dhe shumë të tjerë që na dhanë dritë në kohë errësire. Këtu u ndërtuan ura miqësie që e lidhën përjetësisht Kosovën me Amerikën.
Të nderuar të pranishëm,
Nderi i një kombi matet me ata që i qëndrojnë pranë atij kombi edhe kur janë larg. Janë disa njerëz që kurrë nuk kërkojnë lavdi, por me veprat e tyre ata ia japin lavdinë atdheut. Gra dhe burra që ndërtojnë ura në heshtje, por me punë e mbrojnë dinjitetin në çdo fjalë dhe e mbajnë të gjallë emrin e shtetit dhe kombit të tyre kudo që jetojnë.
Sot, në njërën prej kryeqendrave të botës, këtu, në Nju Jork, jemi bashkë për t’i nderuar disa nga gratë dhe burrat e mërgatës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është falënderim i vonuar, do të thoja, por asnjëherë i harruar nga ana jonë.
Jemi këtu për t’u përkulur me mirënjohje para atyre që e shkruan historinë tonë moderne – me veprim, me përkushtim, me vizion dhe me guxim. Janë gratë dhe burrat të cilët në vitet më të errëta për kombin tonë, kur Kosova ishte pa zë në botë, u bënë zëri i saj, ata që në kohën kur shpresat ikin e mbajtën shpresën të gjallë, me flamur në duar, me fjalë në Kongres e në Shtëpinë e Bardhë, me protesta e me thirrje në rrugët e Nju Jorkut, Uashingtonit e kudo, këtu në Amerikë, ata që në emër të mbrojtjes së lirisë, më të shenjtës, ndërtuan ura me botën demokratike dhe kurrë nuk e harruan vendin prej nga vijnë.
Shqiptarët e Amerikës kanë qenë forca vendimtare në mbështetje të kapitujve më të lavdishëm të historisë sonë. Proceset, që nga përpjekjet për çlirim e deri te shpallja e pavarësisë, që nga ndërtimi i demokracisë deri te forcimi i shtetit tonë në arenën ndërkombëtare, e mbajnë vulën e mërgatës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E në këtë udhëtim historik ne kemi pasur përkrah një mik të përhershëm e një aleat të palëkundur, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këtë vend të shenjtë që bëri të mundur të shenjtën tonë, lirinë tonë. Pa ndihmën e tyre Kosova kurrë nuk do të ishte kjo që është sot – Republika e Kosovës, shtet i pavarur, sovran e demokratik është rezultat i drejtpërdrejtë edhe i mbështetjes, angazhimit, kontributit të SHBA-ve dhe mërgatës sonë të çmueshme. Andaj, asnjëherë nuk është e mjaftueshme që edhe në ngjarje si kjo ta përsërisim falënderimin e përjetshëm të popullit të Kosovës për Amerikën dhe për mërgatën tonë këtu.
Pa ndërhyrjen vendimtare të NATO-s, të udhëhequr nga Amerika, Kosova nuk do të ishte e lirë sot. Pa mbështetjen e tyre për ndërtimin e institucioneve ne nuk do të do ta kishim demokracinë që e kemi sot. Pa Zërin e Amerikës, jo vetëm në Uashington, por edhe këtu në Nju Jork, në Kombet e Bashkuara, në NATO e kudo nuk do të ishim dëgjuar. Pa mërgatën shqiptare në Amerikë, djemt dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do ta kishin mbështetjen e nevojshme në betejat për liri dhe pavarësi. Pa mërgatën shqiptare në Amerikë nuk do të hapeshin dyert e Kogresit dhe as dyert e Shtëpisë së Bardhë, dyert që pastaj u shndërruan në dritë udhërrëfyese në rrugën tonë drejt lirisë e pavarësisë. Pa mërgatën shqiptare në Amerikë, e cila ndërtoi urën e besimit mes Kosovës dhe SHBA-ve, shumë gjëra edhe sot do të ishin të largëta, më të vështira, ndoshta edhe të pamundura.
Prandaj, sot, me ndarjen e këtyre dekoratave presidenciale, ne dokumentojmë përjetësisht kapitujt më të lavdishëm të historisë sonë, të shkruar nga njerëz të zakonshëm që kanë bërë vepra të jashtëzakonshme.
Ndër të dekoruarit ka aktivistë që u përballën me padrejtësinë dhe e kthyen heshtjen në ndërgjegjësim ndërkombëtar. Ka personalitete nga fusha e biznesit, të cilët pasutrinë nuk e matën me çfarë grumbulluan për vete, por me sa dhuruan për kombin e tyre, për demokracinë dhe për afirmimin e kauzës sonë për liri e pavarësi, për Republikën e Kosovës. Ka njerëz të besimit që e mbajtën të bashkuar shpirtin e komnuitetit këtu. Ka gazetarë që shkruan për Kosovën e nuk u ndalën dhe nuk ndalen as sot dhe u siguruan që edhe shtypi ndërkombëtar të ndërgjegjësohej atëherë kur askush nuk e dëgjonte zërin tonë. Ka gra të jashtëzakonshme që u organizuan, protestuan, edukuan e krijuan dhe treguan për shpirtin e kombit tonë. Ka artistë që me artin e kulturën e tyre e vendosën Kosovën në hartën kulturore të botës, hapën dyert e zemrat e tyre për çdo artist që vinte këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka intelektualë që bënë përpjekje stoike për ta ruajtur gjuhën shqipe, identitetin dhe kujtesën tonë kombëtare.
Përveç këtyre, ka edhe shumë e shumë të tjerë, pjesëtarë të mërgatës sonë, të cilët meritojnë dekorata presidenciale. Edhe ata do t’i dekorojmë në ceremony të radhës. Pra, kjo ceremoni është vetëm fillimi, sepse jeni shumë dhe sepse jeni shumë ne sot jemi të lirë.
Ju, të nderuar vëllezër dhe motra, jeni frymëzues për brezat që do të vijnë pas nesh. Veprat tuaja nuk janë vetëm në arkivat e historisë, por në vetë themelet e shtetit tonë. Ju jeni dëshmia e gjallë se mërgata është shtyllë e fuqishme e Republikës që e gëzojmë sot. Jeni zemra që rreh njësoj për atdheun pavarësisht largësisë. Prandaj, në emër të Republikës së Kosovës, në emër të popullit të lirë të Republikës së Kosovës dhe, mbi të gjitha, në emër të brezave që do të rriten në liri falë punës, mundit dhe sakrificës suaj, ju faleminderit!
Ju nderojmë dhe ju përulemi me respektin më të thellë që mund t’i japë një komb bijve dhe bijave të tij më të mirë.
Nderim përjetë për të gjithë ata që kontribuan për lirinë, paqen, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës!
Nderim përjetë për heronjtë që dhanë jetën për lirinë!
Zoti e bekoftë miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Rroftë Republika e Kosovës!
Rroftë Kombi Shqiptar!
(r.m.)
Të tjera
Aktuale
Krejt çka u gjet në banesën e zyrtarit komunal në Pejë
Një bastisje e Policisë në Pejë
Aktuale
Ishte djalë hasreti, ky është i riu që vdiq në aksidentin e sotëm në Dollc
Një aksident i rëndë komunikacioni i
Aktuale
Arrestohet zyrtari i Komunës së Pejës, u filmua duke konsumuar lëndë që dyshohet se janë narkotike
Policia e Kosovës ka arrestuar një