Presidenca e Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar një letër nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, lidhur me ndërprerjen e seancës më 15 prill, që u ndërpre pas më pak se dy orëve nga fillimi i saj.
Në një njoftim për media, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka thënë se letra ka mbërritur në Presidencë dhe ekipi ligjor është duke e analizuar atë për t’i propozuar presidentes hapat e mëtejmë.
Nga Presidenca nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi përmbajtjen e letrës që Dehari i ka dërguar presidentes Osmani, pas ndërprerjes së seancës konstituive, e cila kishte për qëllim të verifikonte mandatet e deputetëve të rinj.
Gjatë seancës, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) votuan kundër raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve, duke argumentuar se anëtarët e Qeverisë, të cilët janë zgjedhur gjithashtu deputetë, duhej të kishin dhënë dorëheqjen paraprakisht për t’u betuar si deputetë të legjislaturës së re.
Nga ana tjetër, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), partisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, mbrojtën pozitat e tyre duke theksuar se Qeveria është në dorëheqje që nga përfundimi i mandatit të saj katërvjeçar më 23 mars dhe se nuk është e nevojshme një dorëheqje e mëtejshme për këtë proces.
Pas votës kundër, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu atë dhe tha se do t’i drejtohej presidentes Osmani me një letër për të sqaruar hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren për të vijuar procesin e verifikimit të mandateve dhe fillimin e legjislaturës së nëntë.



Të tjera
Lajme
Abdixhiku: Po shkojmë në zgjedhje sepse pushteti kërkoi nënshtrim, ne zgjodhëm Republikën
Kryetari i Lidhjes Demokratike të
Aktuale
S’ka president të ri, Kosova shkon në zgjedhje
Deputetët e Kuvendit të Kosovës
Aktuale
Haxhiu: PDK, LDK, AAK, Lista Serbe s’janë të pranishëm, po presim nëse po kthehen
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi