“Trepça” rikthen në menaxhim një lokal në qendër të Prishtinës

Ndërmarrja publike “Trepça” ka rikthyer në menaxhim një lokal afarist në zemër të Prishtinës, më shumë se 27 vite pas përfundimit të luftës.

Prona ndodhet në një nga zonat më strategjike të kryeqytetit, në rrugën “Johan V. Hahn”, pranë Hotel Grand, Sheshit “Zahir Pajaziti” dhe bulevardit “Xhorxh Bush”, duke e bërë atë një prej hapësirave më të kërkuara komerciale në qendër të qytetit.

Lokali, i njohur për publikun si “Tuneli”, përfshin një sipërfaqe prej 190.75 m², me hapësirë kryesore afariste, zyra, nyje sanitare dhe hyrje, si dhe një terasë prej 47 m².

Sipas vlerësimeve të bëra, duke u bazuar në lokacionin dhe potencialin afarist, prona kap vlerën e tregut mbi 900 mijë euro. Në këtë zonë, qiratë për metër katror variojnë nga 15 deri në 17 euro, çka e bën objektin një aset me rëndësi të veçantë ekonomike për ndërmarrjen.

Rikthimi i këtij lokali në menaxhim nga Trepça vlerësohet si hap që rrit të hyrat e qëndrueshme dhe përmirëson performancën financiare të ndërmarrjes.

Ky veprim, sipas njoftimit, është pjesë e përpjekjeve për identifikimin, mbrojtjen dhe funksionalizimin e pronave të Trepçës, duke synuar forcimin e bazës së saj ekonomike për të ardhmen.

“Trepça vazhdon të rikthejë atë që i takon dhe ta shndërrojë pasurinë e saj në vlerë të prekshme ekonomike”, thuhet në fund të njoftimit.

Të tjera