Vladislav Dajkoviq, aktivist politik nga Mali i Zi ka vizituar serbët që po mbajnë të bllokuar Jarinjën në veri të Kosovës. Ai nga atje, u ka dërguar mesazh serbëve se “nuk janë vetëm, dhe se malazezët janë një me serbët”, transmeton Botapress.info
“Mesazhi është se ne jemi një dhe i njëjti popull dhe se ju nuk jeni vetëm. Ashtu siç nuk ishim vetëm gjatë mbrojtjes së faltoreve në Mal të Zi. Në atë kohë, ju na dhatë mbështetje në të gjithë Kosovën dhe Metohinë, në të gjithë vendet serbe”, tha ai me një fjalor propagandues.
Madje ai sfidoi rendin shtetëror duke thënë se duhet të jesh burrë që të shkosh dhe t’i përkrahësh serbët në Jarinje.
“Ne vendosëm të vijmë, të shtrëngojmë dorën dhe të themi të duroni. Është më e lehtë të dërgosh mbështetje nga një shtëpi e ngrohtë, nga Facebook dhe Twitter. Duhet të jesh burrë dhe të vish, edhe pse për një kohë të shkurtër”, tha ai. /Botapress.info/