Policia e Kosovës ka dhënë detaje për incidentin e mbrëmshme që ka ndodhur në Prishtinë, ku kanë mbetur disa të plagosur.
Përmes një njoftimi për media, policia ka bërë me dije se incidenti ka filluar pas një mosmarrëveshjeje mes disa të dyshuarve meshkuj.
Më pas, sipas policisë, janë përdorur armë zjarri ku janë plagosur disa persona.
Si pasojë e thyerjeve të gotave e shisheve, ka treguar policia, janë lënduar 17 persona.
“Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra”, është në njoftim.
Policia ka treguar se të dyshuarit janë hospitalizuar.
“Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku”, është thënë në njoftimin e Policisë.