Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksidentin e tmerrshëm që ndodhi mbrëmë në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, për lajmi.net ka thënë se aksidenti ka ndodhur rreth orës 22:30.
Ajo ka bërë të ditur se si rrjedhojë e përplasjes lëndime kanë pësuar tetë persona.
“Mbrëmë rreth orës 22:30, në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku kanë qenë të përfshira tri automjete në lëvizje. Bazuar në të dhënat nga vendi i ngjarjes si pasojë e këtij aksidenti lëndime trupore kanë pësuar tetë persona dhe të njëjtit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka thënë Ahmeti.
Njësia rajonale e trafikut ka nisur një hetim për zbardhjen e shkaqeve që kanë sjellë deri te ky aksident. /Botapress.info/