Policia i jep 225 mijë euro tender kompanisë që akuzohet për korrupsion e mashtrim

Policia e Kosovës ia ka dhënë edhe një tender bashkëshortes së një biznesmeni, i cili akuzohet se mashtroi policinë në disa herë. Vlera e tenderit të fituar është mbi 225 mijë euro. Në ketë tender nuk ka pasur fare konkurrencë. Me këto para është paraparë të blihen gazmaska për policët.

Nuk duhet shumë mund e kohë që të kuptohet sa herë kompania “Sodex Group”, pronare e të cilës është Zaide Pira, bashkëshortja e biznesmenit Astrit Pira, ka mashtruar Policinë e Kosovës për miliona euro.

LEXO EDHE KETE

Jep dorëheqje zëvendësministri Dukagjin Pupovci

Por, duket se drejtuesit e policisë nuk janë lodhur fare të bëjnë “një kërkim në google” për ketë kompani dhe duke i mbyllur sytë e kanë shpërblyer edhe me një tender, shkruan Demokracia.com.

Kjo kompani tash është shpërblyer me tenderin furnizim me gazmaska, vlera e të cilit kap shumën e mbi 225 mijë eurove.

“Sodex Group” këtë tender e ka fituar po u lodhur shumë, pasi ka qenë e vetme në garë.

“Vlera e përgjithshme e kontratës 225,388.80 euro. Përshkrimi i shkurtër: FURNIZIM ME GAZ MASKA. Data e dhënies së kontratës 15.11.2022. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 25.11.2022. Numri i tenderëve të pranuar: Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata: Sodex Group SH.P.K., Qyteti: PRISHTINË, Kodi postar: 10000, Vendi: Kosovë”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Në dosjen e tenderit është treguar se me 225 mije euro do të blihen 728 lloje (sete) të produkteve, gazmaskë, çantë, filtër, boca e ujit.

Në muajin gusht të këtij viti ishte raportuar në mediat e Kosovës se kompania “Sodex Group”, e afërt me biznesmenin Armend Selimi, i dënuar vitin e kaluar për “mashtrim”, është shpallur edhe një herë fituese e një tenderi në Policinë e Kosovës.

Në tenderin për furnizim me jelek taktik për Njësinë Speciale, “Sodex Group” nga policia është paguar me rreth 60 mijë euro.

Kjo kompani është në pronësi të familjarëve të Astrit Pira, i cili kishte qenë aksionar bashkë me Selimin në kompaninë “Friends”.

Binesmeni Armend Selimi, vitin e kaluar ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me burgim për “mashtrim”. Ndërsa e kaluara e tij lidhet me tenderët e policisë për armët.

E kaluara e këtyre dy biznesmenëve, Astrit Pira dhe Armend Selimi, lidhet me dyshimet për korrupsion me furnizimin e armëve.

Pira dhe Selimi ishin arrestuar në tetor të vitit 2011 nën dyshimin për korrupsion në tenderin e furnizimit me armë. Prokuroria Speciale në janar të vitit 2015 ngriti aktakuzë ndaj tyre dhe dy zyrtarëve policorë dhe një zyrtari të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në maj të vitit 2015, aktakuza u hodh poshtë me arsyetimin se Prokuroria nuk u është përmbajtur afateve ligjore të hetimit dhe se aktakuza ishte ngritur pas afatit dyvjeçar.

Përveç hetimeve në aferën e njohur si skandali i armëve, autoritetet policore kanë pasur edhe probleme tjera me tandemin Selimi-Pira.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në raportin e publikuar më 2012 kishte konkluduar se tenderi për furnizim me autoblinda ishte i kurdisur.

Fitues i tenderit ishte kompania “N.T.P Friends”, që ishte në pronësi të Armend Selimit. Afro 700 mijë euro kishte përfituar kjo kompani nga ky tender.

Kurse në dhjetor të vitit 2021, Policia e Kosovës e kishte shpallur fituese të tenderit për furnizim me antiplumb kompaninë “Sodex Group”.

Vlera e tenderit ishte e madhe, plot 2.7 milionë euro.

Gazeta Insajderi kishte raportuar në dhjetor të vitit të kaluar se përveç që Policia e Kosovës i dha tender mbi 2.7 milionë euro kompanisë së rrjetit të  biznesmenit Armend Selimi, e kaluara e të cilit lidhet me korrupsion me furnizim me armë, ajo kishte edhe çmimin për 400 mijë euro më të shtrenjtë.

Policia e Kosovës, fillimisht kishte pranuar shtatë oferta për tenderin e madh “Furnizim me Antiplumba”.

Zyra e Prokurimit në Policinë e Kosovës ka arsyetuar veprimin e saj karshi kompanisë “Sodex Group”,  duke thënë se kompanitë tjerë pas rivlerësimit kanë dal si oferta të papërgjegjshme.

Ky tender më vonë ishte anuluar nga zyra e prokurimit të Policisë së Kosovës.

Biznesmenët Armend Selimi e Astrit Pira në të kaluarën kishin përfituar me tri nga kompanitë e tyre, “Jolix”, “Friends” dhe një firmë tjetër, “Amici”, që nga 2007 kishin fituar kontrata me vlerë prej së paku 6,2 milionë euro nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Kurse, në vitin 2018 ishte raportuar në mediat e vendit se “Policia kishte rënë në “radarët” e OSHP-së”,  për tenderin  “Furnizim me laserë/radarë dore”, që dyshohej se ia kishte përshtatur kompanisë “Sodex Group”.

Kjo pasi gjatë hartimit të specifikave teknike kishte cekur produktin me të cilin ka ofertuar kompania në fjalë, e cila ka pronare Zaide Pira, bashkëshortja e biznesmenit Astrit Pira, i cili akuzohej se ka mashtruar Policinë e Kosovës edhe kohë më parë.

Megjithatë, ky tender në vlerë 902 mijë euro ishte anuluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, pas ankesës së kompanisë “Botek” me pretendimet për shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik gjatë hartimit të specifikave teknike që kanë të bëjnë me “Camera Sensor – min 3 MP”.

Kjo dyshohej se i është përshtatur prodhuesit “Laser Technology”, me të cilin ka ofertuar kompania “Sodex”./Botapress.info/

ngjashme