Pesë diplomatë sollën një plan të ri për dialogun. Atë e diskutuan me Albin Kurtin në Prishtinë dhe me Aleksandar Vuçiqin në Beograd. Kryeministri i Kosovës i ka dhënë disa vlerësime për planin, përmbajtja e të cilit nuk dihet ende, duke paralajmëruar diskutime intensive, ndërsa presidenti serb tha se “qëllimi i tyre i vetëm është njohja e Kosovës së pavarur”.
Për ta ringjallur dialogun e lënë në gjysmë nga tensionet dhe sulmi i fundit në veri të vendit, në Kosovë e Serbi të shtunën ishin pesë diplomatë nga Europa e Amerika që në këtë kombinim njihen si QUINT.
I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i shkruan ia zunë derën kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë e më pas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Beograd.
Lajçak tha në Prishtinë “çfarëdo kushti, apo çfarëdo vonese për normalizimin e marrëdhënieve është e papranueshme”, duke theksuar pritjet e bllokut europian nga Kosova e Serbia që “t’i plotësojnë tërësisht detyrimet e tyre brenda dialogut”.
“Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin se Kosova dhe Serbia bënë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të këtij viti”, tha Lajçak duke iu referuar sulmit kundër Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në veri të Kosovës më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Lajçak tha se “dialogu është më i rëndësishëm së kurrë” sepse nëse nuk ka dialog, sipas tij, mund të përsëritet eskalimi. “…Dhe kjo nuk është çka duam ne, as çka doni ju”, tha ai. Prandaj tha se kishin ardhur.
Për Kurtin, i cili e ka akuzuar diplomatin sllovak se po ia mban anën Serbisë në dialog, Lajçak tha se “ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt Bashkimit Europian”.
Ai e nënvizoi “nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë pa asnjë vonesë tjetër”. Pa këtë, “nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës”, paralajmëroi Lajçak.
Ai tha se me katër diplomatët e tjerë, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Alessandro Cattaneo, sollën në Prishtinë një plan.
“Ne gjithmonë e kemi një plan, pra ne e kemi një plan dhe ne e diskutuam planin me kryeministrin Kurti dhe do ta diskutojmë edhe me presidentin Aleksandar Vuçiq sot më vonë. Tani nuk do të jap më shumë hollësi”, tha Lajçak.
Në Beograd, ku shkuan pasi kryen punë në Prishtinë, diplomatët kërkuan që autorët e sulmit ndaj Policisë së Kosovës të sillen para drejtësisë dhe që rasti të hetohet plotësisht, me bashkëpunim të Serbisë në çështje. U tha se të dyja vendet duhet t’i zbatojnë marrëveshjet nëse s’duan të ngecin rrugës drejt BE-së.
Çka tha Kurti?
Zyra e Kryeministrit Albin Kurti lëshoi një komunikatë pas takimit, ku u bë e ditur se shefi i Qeverisë u kishte thënë diplomatëve se “prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit”, duke kërkuar “reflektim cilësor” dhe “qasje të re”.
“Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”, u tha t’u ketë thënë Kurti mysafirëve.
“Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re”, u tha në komunikatë.
Për planin e pranuar në takim, ZKM tha se Kurti “shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij” dhe se “diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”. Ndërsa në një postim platformën X ishte mjaft pozitiv. “I falënderoj dhe i vlerësoj pesë emisarët për planin e tyre të ri për të ecur përpara”.
Çka tha Vuçiq?
Vuçiq ndërkaq, e cilësoi të vështirë takimin me Pesëshen.
“Besoj se në periudhën e ardhshme ne do ta gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë. Pres takime të rëndësishme në Bruksel në ditët në vijim”, tha Vuçiq në një shkrim në rrjetin social Instagram.
Të nesërmen, Vuçiq tha se ngjarja në Banjskë ishte “taktikisht e tmerrshme” për Serbinë.
“Banjska ishte taktikisht e tmerrshme për ne, solli shumë javë dhe muaj me pasoja, por në kuptimin strategjik, qëllimi i tyre i vetëm është njohja e Kosovës së pavarur. Qoftë arsyeja Banjska apo diçka tjetër, ajo politikë e marrëdhënieve ndaj Serbisë në të cilën Prishtina gjithmonë ka përparësi mbetet”, tha ai në TV Pink.
“Për ta Kosova është shtet i pavarur, në bazë të vendimit të tyre. Kujt i intereson për aktet juridike ndërkombëtare”, tha presidenti serb.
Vuçiq tha se të enjten dhe të premtën do të jetë në Bruksel së bashku me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.
SHBA-ja dhe BE-ja u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë zbatim “të shpejtë dhe pa kushte” të marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.
“Nënvizojmë nevojën që Kosova dhe Serbia, urgjentisht t’i ulin tensionet dhe shpejt, e pa kushte ta zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre dhe të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, është thënë në një deklaratë të miratuar në samitin SHBA-BE të mbajtur më 20 tetor në Washington.
Gazeta Express ka raportuar të shtunën se Pesëshja ka sjellë me vete një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Vizita e Pesëshes është komentuar edhe nga përgjegjësi për dialog në Lidhjen Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri.
“Zhvillmet e ditëve të ardhshme, kanë me qenë shokante për besimtarët e të majtës së Albin Kurtit, por nuk ka asgjë më fantastike se realiteti!” tha Haziri.
Tutje ai ka folur se me cfarë obligimi është ngarkuar Kurti nga vizita e Pesëshes.
“Qeveria e Albinit dhe Vjosës duhet me i organizu zgjedhjet në 4 komunat veriore të Mitrovicës dhe me shkru draft-statutin e Asociacionit (Zajednicës së VV-së). Kur? Menjëherë. Ndërkaq, me 8 nëntor duhet me i kallxu Keshillit Europian” ka shkruar Haziri.