Gazeta ka raportuar dje ekskluzivisht për disa plane për atentat ndaj disa zyrtarëve të LDK-së, përfshirë kryetarit të partisë, Lumir Abdixhikut. Përpos Abdixhikut, të kërcënuar thuhet të kenë qenë edhe deputetët Avdullah Hoti, Armend Zemaj dhe Arben Gashi.
Abdixhiku flet për tentim atentatin: Nuk ndihem i rrezikuar, organet e rendit po merren me rastin
Ish-kreu i LDK-së dhe i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se i vjen keq për familjet e të apostrofuarve, ndërsa tregon se edhe vetë ka qenë disa herë cak i sulmeve.
“Nuk kam informacione që të shprehem për këtë rrëfim që e dëgjova mbrëmë në media. Në këtë rast më vjen keq për familjarët e individëve të apostrofua, që u janë shkaktuar frikë dhe brenga”, tha Mustafa për lajmi.net.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, ka thënë se janë duke e hetuar këtë rast të cilësuar si kanosje.
“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, u shpreh Krasniqi.
Ndryshe sipas informacioneve të para, kërcënimi është denoncuar nga organet gjermane të sigurisë. Këto organe thuhet se kanë rënë në gjurmë të një përgjimi ku flitet për një atentat direkt ndaj kryetarit të LDK-së dhe deputetëve të lartpërmendur.