Gazeta raportoi dje se Gjykata Komerciale e Prishtinës ka vendosur që tani për tani të pezullohet ndërtimi i Rrugës A, pas ankesës që e ka bërë ndërrmarja “Pro & CO Group” kundër operatorit ekonomik “Sallahu” i cili e kishte fituar tenderin 8.5 milionësh.
Vendimi i nxjerrë më 17 tetor thotë se “Gjykata po ashtu vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimit dhe pezullimi i aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e parë”, me numër të prokurimit 616-22-7096-5-1-2, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedural është më se i dhuru që të ruhet interesi publik”, saktëson vendimi i Komerciales të cilin e ka Gazeta Sinjali.
Ekskluzive: Pezullohet ndërtimi i Rrugës A, vendos Gjykata Komerciale
Ky vendim ka ardhur pas ankesës që në këtë gjykatë e ka bërë ndërrmarrja “Pro & CO Group” SHPK.
Vendimi i Komerciales ka ngjallur reagime të shumta, veçanërisht të pushtetit komunal pasi këtë projekt e patën cilësuar si më të rëndësishmin deri tani.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka akuzuar gjyqtaren Vlora Pacolli, motrën e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, se vendimin e ka marrë bazuar “plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës”.
Rama ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor që të sigurojë që “ky proces të jetë i drejtë, profesional, i paanshëm, dhe i bazuar vetëm në ligj”.
I menjëhershëm ishte reagimi edhe nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i cili e ka quajtur çmenduri ndërprerjen e punimeve të rrugës.
Përmes një postimi në Facebook, i pari i LDK-së ka thënë se “në Kosovën e popullistëve puna krijon kundërshtarë”.
“Sot, një gjykatëse vendosi ta ndalojë atë. Ta ndalojë punën e ndërtimit të rrugës ‘Jim Xhema’ në gjysmë të saj. Gjykatësja, del të jetë motra e deputetes në pushtet”, ka shkruar Abdixhiku, duke aluduar në motrën e deputetes së VV-ë, Fitore Pacolli.
Abdixhiku ka akuzuar partinë në pushet për pengim të punës së Ramës.
Për deklaratat e zyrtarëve të pushtetit komunal në Prishtinë e shqetësuar është shprehur Gjykata Komerciale, e cila përmes një reagimi publik ka kërkuar që të ndërtohet kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe të lihen gjyqtarët të punojnë në mënyrë të pavarur.
Komercialja ua ka kujtuar palëve që kanë të drejtë të ankohen në vendimin e parë dhe se çështja s’duhet të paragjykohet pa marrë epilog përfundimtar.
Po ashtu, në një reagim zyrtar, LVV thotë se ky vendim është pasojë e qasjes së vazhdueshme anti-institucionale dhe anti-ligjore të ekzekutivit të Komunës së Prishtinës.
“I gëzohemi dhe mbështesim çdo projekt që bëhet në Prishtinë e për Prishtinën, natyrisht gjithmonë duke respektuar rregullat dhe procedurat ligjore” thuhet në reagim.