Edhe kjo javë që po e lëmë pas ishte e mbushur me ngjarje të ndryshme, por fokusi sigurisht ishte te ardhja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe mos-takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ndërkohë, nisma e kryetarit të LDK-së, vizita e Lajçakut e deklaratat e Gërvallës, janë ndër ngjarjet tjera që veçojmë.
Kurti vs Rama
Debati politik kryesisht u fokusua te marrëdhëniet mes kryeministrit, Albin Kurti me kryeministrin, Edi Rama.
Rama nisi vizita e tij në Ballkanin Perëndimor në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Procesit të Berlinit.
Por në Kosovë, Rama nuk u prit në takim nga Kurti, pavarsisht se Kurti bëri kërkesë që të takohen në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive dhe që të nënshkruhen marrëveshjet.
Një ditë para ardhjes, Rama njoftoi se i kanë nënshkruar marrëveshjet dhe i kanë dërguar për “kundërfirmosje” në Kosovë. Marrëveshjet u nënshkruan edhe nga Kosova por takimi Kurti – Rama nuk ndodhi.
Gjatë vizitës në Kosovë, Rama u takua me presidenten, Vjosa Osmani dhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Ndërkohë, Rama pati edhe një intervistë në Klan Kosova, ku tregoi që Kurti nuk i ka kthyer hiç përgjigje nëse do të takohet apo jo.
“Është absurde. ‘Më ka ngel hatri nga anulimi i mbledhjes së dy qeverive’. Por në rregull, si t’ia bëjmë? Ta lëmë Kosovën pa asnjë zë në raportin te kancelaritë, me këto vizita dy ditore? Mua më duket absurde. Prandaj i jam drejtuar në mënyrë shum të përsëritur Albinit. Është e rëndësishme ta bëjmë këtë takim, më thuaj Po ose Jo.” – ka thënë Rama.
Ndërkaq, Kurti nuk është deklaruar akoma për mos takimin me Ramën.
Raportet mes tyre janë acaruar për shkak të përfshirjes së Ramës në situatën politike në Kosovë, konkretisht për situatën në veri të vendit.
Nisma e Abdixhikut
Për shkak të vendosjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovë nga BE-ja në Kosovë, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka nisur një iniciativë për nxjerrjen e vendit nga izolimi ndërkombëtar.
Ai gjatë javës që po e lëmë pas është takuar me gazetarë e opinionistë të ndryshëm vendorë.
“Vlerësojmë dhe çmojmë secilin mendim, në veçanti të atyre që këto mendime i bëjnë publike – edhe kur pajtohemi, edhe kur nuk pajtohemi me to. Vlerësojmë, mbi të gjitha, që Kosova ka nevojë për një mendim të guximshëm dhe të qartë, që rrugëtimin tonë euroatlantik e kthen në binarë. Diskutuam, trajtuam, morëm sugjerime, ide e komente dhe mbi propozimin tonë e mbi rrugën politike që të gjithë duhet ta ndërtojmë.” – ka thënë Abdixhiku, duke treguar që do të ketë edhe takime të tjera.
Lajçaku në Kosovë
Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ishte për vizitë në Kosovë.
Lajçak ka takuar krerët e shtetit, ku ka kërkuar shtensionim të situatës në veri.
Ai ka thënë se situata s’është e lehtë, por do të vazhdojnë diskutimet.
“Ai prezantoi pikëpamjet e tij unë prezantova idejat e mija dhe prooozinet e mija për këtëbthash që ishte takim i gjatë por shumë i rëndësishëm do të ndihmojë për të kuptuar pozicionin e njëri-tjetrit më mirë dhe procesi do të vazhdojë.” – ka thënë Lajçak pas takimit me Kurti.
Kurti pas takimit me Lajçakun tha se “Kosova nuk ka kurrfarë faji” dhe se “jemi gati për zgjedhje në veri.”
Ndërkohë, nuk duhet të harrojmë deklaratën skandaloze të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Ajo tha se BE-ja është “një tigër prej letre”.
“Nuk ka vullnet politik, ka shumë jounitet në bllok, dhe pa ShBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një tigër prej letër kur vjen puna te siguria.” – deklaroi ajo.
Kjo deklaratë ka nxitur reagime të jashtëzakonshme ku po kërkohet edhe shkakrimi i Gërvallës.