Përparim Rama dje e mori detyrën e kryetarit të Prishtinës, ndërkohë, ende është duke planifikuar se çfarë koalicioni duhet të krijojë në Kuvendin Komunal, edhe pse mund të qeverisë me pakicë. Por, kjo i hap probleme në miratimin e rregulloreve të reja, në çështje të buxhetit dhe në projekte serioze, për të cilat kërkohet shumica e votave.
Ndërkohë, që është në pritje për të vendosur për koalicione, ai tashmë ka bërë disa emërime, dhe përcaktime.
Alban Zogaj tashmë e ka nënshkruar sot vendimin që të jetë nënkryetar i Prishtinës.
Vllaznim Osmani tashmë e ka sigurt vendimin për shef të kabinetit, që prej një dekade ka jetuar në Angli, dhe ka vlerësime të mira për të.
Fehmi Kupina, do të mbajë pozitën e kryesuesit të Kuvendit Komunal. Ai doli më i votuar i LDK-së në garën për asamble në Prishtinë. Kështu që tani për tani, ai është pozicionuar për atë pozitë.
Krenar Xhaferi, i cili e ka dhënë betimin si fitues, deputet lokal për asamblenë e Prishtinës, pritet të jetë Drejtor i drejtorisë për Investime kapitale dhe menaxhimit të kontratave.
Krenar Xhaferi është djali i profesorit të UP-së, Xhafer Xhaferit, dhe zyrtar i LDK-së për shumë vite, që nga themelimi i saj. Krenari ka shërbyer edhe këshilltar I Lumir Abdixhikut në Qeverinë Kurti 1.
Florian Dushi, ish anëtar i KQZ-së, dhe ish deputet është përcaktuar që ta ketë drejtorinë e inspeksionit.
Bardh Krasniqi do të jetë këshilltar i Përparim Ramës, dhe kjo gjë tashmë është e përfunduar.
Pozitat e përcaktuara deri më tash, me ndonjë përjashtim nuk priten të kenë ndryshime.
Qeveria Komunale e Prishtinës i ka 16 drejtori, dhe nuk dihet se si do të ndahen ato me partnerë të koalicionit./Botapress.info/