Lajmi për largimin nga procesi mësimor i nxënëses së shkollës fillore ‘Emin Duraku’ në Shtime, Sara Bungu, ka ngjallur reagime të shumta. Ani pse familja e vajzës këmbëngulin që kjo është bërë vetëm për shkak të bartjes së uniformës fetare, kjo po mohohet nga stafi i shkollës dhe Komuna e Shtimes, raporton Gazeta Sinjali.
Zyrtari për Informim në Komunën e Shtimes, Lulzim Sahiti, tha në një prononcim për Gazetën Sinjali se kjo nuk është e vërtetë dhe se vajza nuk është përjashtuar nga shkolla.
“Nuk ka të bëjë fare. Nuk është e vërtetë që e ka përjashtu. Nuk ka të bëjë kurrgjë me të vërtetën. As përjashtim, as kurrgjë. Ky [drejtori i shkollës] e ka thirrë prindin me u konsultu a është në koordinim me prindin kjo punë, apo çka. Nuk e ka përjashtu, kjo kurrgjë s’ka të bëjë me të vërtetën”, tha Sahiti.
Ai madje ka fjalë të mira për drejtorin e shkollës, Rexhep Hasanin, për të cilin thotë se edhe vetë është besimtar i fesë islame dhe praktikon edhe agjërimin.
Sipas Sahitit, gjithçka është bërë vetëm që të konsultohet prindi se a është në dijeni për vendimin e nxënëses për të bartur shami.
“Shumë korrekt është ai drejtor. Nuk është njeri i tillë. Ai vetë agjëron. Veç ka dashtë me e bë një konsultë se a është në harmoni me prindin a qysh, se ka shku pa pritë pa kujtu edhe është e logjikshme me thirrë prindin për këtë çështje”, tha tutje zyrtari për informim në Komunën e Shtimes.
Kujtojmë se krejt ndryshe deklaron vëllai i nxënës, Shkëlqim Bungu , i cili pohon se motra e tij u përjashtua nga shkolla vetëm për shkak të shamisë.
““Perjashtohet nga shkolla vetem pse ka shami!” Dje me date 05.04.2023 motra ime Sara Bungu perjashtohet jozyrtarish nga Shmu Emin Duraku Shtime”, shkroi Bungu në Facebook.
Bungu është shprehur se drejtori i shkollës, Rexhep Hasani, ka këmbëngulur që përjashtimi të vazhdojë në heshtje derisa vajza ta largojë shaminë.
“Pas tentimeve dhe bisedimeve me drejtorine e arsimit ne komunen e Shtimes drejtori i shkolles fillore e mesme e ulet – Rexhep Hasani , kembngul me kokfortesi qe perjashtimi te vazhdoje ne heshtje deri ne momentin qe nxensja te nderroj mendje dhe ta largon mbulesen, per arsye te udhezimit administrativ”, ka thënë ai.
Lidhur me këtë, shkolla ‘Emin Duraku’ ka bërë një sqarim publik në faqen zyrtare në Facebook, ku thuhet se nxënësja të mërkurën ka shkuar për herë të parë në shkollë me uniformë fetare.
“Për rastin në fjalë kemi të bëjmë me një fëmijë me moshë jo më të madhe se 14-15 vjeç si dhe me faktin se nxënësi për herë të parë ka ardhur në shkollë me uniformë fetare të mërkurën (5 prill 2023). Duke qenë se është fëmijë dhe mosha e saj nuk është e mjaftueshme sa të vendosë vet drejt për veten e saj, kemi kontaktuar prindin (5 prill 2023) për të parë nëse një veprim i tillë është bërë nga ndonjë trysni nga jashtë. Në bashkëbisedim me ta çështja ka kaluar te familja”, thuhet në njoftim.
Sa i përket përjashtimit, nga shkolla thonë se nuk ka asnjë vendim për suspendim a largim nga shkolla.
“Dua të kuptohem drejt, këtu nuk ka asnjë vendim për suspendim a largim nga shkolla. Lirimi i nxënësit nga procesi mësimor është e drejtë ligjore që drejtori mund t’i japë nxënësit deri në 10 ditë në rast se kjo është në të mirë të fëmijës (Shih Ligjin për Arsim Parauniversitar). Ajo që ne kemi rekomanduar janë tri ditë që prindi dhe fëmija të bashkëbisedojnë duke ua bërë që qartë të gjitha udhëzimet që rregullojnë këtë çështje dhe duke i garantuar se do të trajtohet seriozisht”, thuhet në reagim.
E shkrimi i vëllait të Sarës, Shkëlqimit, nga shkolla po cilësohet si dashakeq.
“Shkrimit dashakeq e nxitës të vëllait të nxënëses duhet t’ju bashkohet dëshmia se unë paskam marrë vendim për masë disiplinore ndaj nxënësit. Po ashtu ftoj të gjejë dëshmi se unë gjatë bisedës me DKA paskam këmbëngul në përjashtim”, thuhet më tej në njoftimin e shkollës ‘Emin Duraku’.
Kujtojmë që kohë më parë bartja e shamisë në institucione arsimore ishte bërë temë debati në Kosovë.
Kjo pasi që një shkollë në Gjakovë, kishte vendosur disa shenja ndalimi në hyrjen e objektit, ku ndër të tjera paraqitej edhe ndalimi i bartjes së shamisë nga nxënëset.
Në anën tjetër, Udhëzimi Administrativ përcakton të drejtat, veprimet e ndaluara, masat dhe proceduarat disiplinore dhe zbatimin e tyre.
Në Nenin 3 të këtij udhëzimi, renditen veprimat e ndaluara për nxënësit. Në pikën 1.13 të këtij Neni, si veprim i ndaluar është edhe “bartja e uniformës fetare”.