Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të Dërguarin e Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Pas takimit Osmani dhe Escobar janë deklaruar para gazetarëve.
Sondazhi i UBO’s, 76 përqind e kosovarëve kundër Asociacionit
Osmani ka thënë se gjatë takimit ka potencuar se Kosova do të vazhdojë të angazhohet në dialog me përkushtim të plotë dhe qasje konstruktive.
“Vizita e z.Escobar krahas angazhimit disa mujor nga Koosva dhe partnerët ndërkombëtarë, rikonfirmon përkushtimin tonë të përbashkët për të bërë progres në dialog. Ashtu siç kam potencuar sot në takim, Republika e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet në dialog me përkushtim të plotë dhe qasje konstruktive siç ka bërë përgjatë gjithë këtij procesi, e sidomos tani duke kuptuar momentumin e rëndësishëm që paraqet takimi në Ohër. Ne besojmë fort se një marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ku trajtohemi si shtete të barabarta, është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Kosova shkon drejt Ohrit me këtë mendësi, si dhe me shpresë për një rezultat pozitiv“, tha Osmani.
Tutje e para e shtetit tregoi edhe pritshmëritë e saj për marrëveshjen, duke thënë se ajo do të sjellë rezultate konkrete për Kosovën.
“Çdo tendencë e Serbisë për të penguar këtë rezultat nëpërmjet kushtëzimeve, mund ta dëmtojë pastaj tërësisht procesin e dialogut. Pritshmëria ime si presidente e Republikës është se marrëveshja do të sjellë rezultate konkrete, të prekshme për Kosovën, rrjedhimisht do të sigurojë integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, do të sigurojë integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serb të Kosovës në institucionet e Republikës. Kjo do të rezultojë pastaj me shpërbërjen efektive të menjëhershme të të gjitha strukturave ilegale të Serbisë, po ashtu kjo marrëveshje përfshin parime të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të cilat do ta shtrojnë rrugën drejt njohjes reciproke. Ashtu siç e ceka edhe më parë, një rezultat tjetër pozitiv nga procesi i dialogut, pa dyshim do të jetë edhe vetë kontributi në paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajonin tonë. Është me rëndësi të përsëris se rendi kushtetutës i Kosovës, integriteti territorial e sovraniteti i vendit, si dhe funksionaliteti i brendshëm i Kosovës, të ruhen me çdo kusht në çdo proces negociator“, tha presidentja.
Sipas Osmanit, është thelbësore që secila marrëveshje që arrihet përmes dialogut, të jetë e implementueshme dhe të mbështetet nga populli i Kosovës.
Ajo premtoi se do vazhdojnë angazhimet për të ndërtuar konsensus në spektrin politik, që pas nënshkrimit të marrëveshjes, ajo të miratohet në Kuvend dhe zbatimi i saj të bëhet në mënyrë efektive.
“Është thelbësore që çdo marrëveshje e arritur në dialog të jetë e implementueshme, e zbatueshme, po ashtu të mbështetet nga populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e tij të zgjedhur në mënyrë demokratike. Do vazhdojmë të punojmë që të ndërtohet konsensus në gjithë spektrin politik në vend për të siguruar që marrëveshja pasi të nënshkruhet, së bashku me planin e zbatimit, të miratohet në Kuvendin e Kosovës në mënyrë transparente dhe demokratike si dhe zbatimi i plotë i saj të bëhet në mënyrë efektive“, tha tutje ajo.