Ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku në rend dite është shqyrtimi i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024, raporton Gazeta Sinjali.
Kundër këtij projektbuxheti ka dalë Partia Demokratike e Kosovës, të cilët janë shprehur se nuk sjellë asnjë alternativë zhvillimore.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, tha se ky nuk është buxhet i mirëqenies së qytetarëve.
“Për shumë arsye që do t’i theksojnë deputetët e grupit parlamentar të PDK-së, ne si grup parlamentar nuk do ta përkrahim projektbuxhetin për vitiin 2024. Jemi kundër këtij buxheti që nuk sjell asnjë alternativë zhvillimore dhe nuk është buxhet i mirëqenies së qytetarëve”, tha Lushtaku.
Gjatë javës së kaluar, Komisioni për Punë, Buxhet dhe Transfere ka miratuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm.
Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024, i miratuar nga Qeveria, pritet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.
Ky buxhet është mbi 100 milionë euro më i lartë në krahasim me buxhetin e vitit 2023.