Partitë publikojnë listat, këta janë kandidatët për deputetë që synojnë ulëse në Kuvend

Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë publikuar listat e kandidatëve me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Të martën ishte afati i fundit për dorëzimin e listës së kandidatëve.

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se listës së saj do t’i prijë Albin Kurti, ndërsa në Top 10 janë edhe Glauk Konjufca, Donika Gërvalla, Avni Dehari, Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla, Mimoza Kusari-Lila, Hajrulla Çeku e Shqipe Memeti Selimi.

Në listë nuk janë emra si Besnik Bislimi e Hysen Durmishi. Durmishi në një postim në Facebook ka thënë se vetë ka vendosur të mos jetë pjesë e listës. Në listën e Vetëvendosjes me numër 15 është Arton Konushevci, vëllai i heroit Ilir Konushevci.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka publikuar listën me kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 7 qershorit të mërkurën në mesditë. Ishte partia e vetme që nuk e kishte publikuar listën më herët.

Listës së PDK-së do t’i prijë kandidati për kryeministër Bedri Hamza, ndërsa pas tij do të renditen Uran Ismaili, Vlora Çitaku, Përparim Gruda e Arian Tahiri, i cili në zgjedhjet e kaluara ishte i renditur i 30-i. Dhjetëshen e parë e kompletojnë Besa Kabashi-Ramaj, Rrahman Rama, Arben Mustafa, Sala Jashari e Enver Hoxhaj.

Pjesë e listës së PDK-së është edhe Nait Hasani, i cili ishte prej më të përfolurve për manipulime me vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Bashkë me Fetah Paçarizin, ata ishin dy kandidatët me më së shumti vota që dyshohet të jenë të manipuluara.

Për këtë ka reaguar kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili ka thënë se dega nuk e ka propozuar asnjë që është i dyshuar për manipulime me vota, por se vendimi është marrë nga Kryesia në qendër.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë me të cilët do të garojë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

Bartëse e listës së LDK-së është ish-presidentja Vjosa Osmani, ndërsa në Top 10 nuk janë emra si Avdullah Hoti e Hykmete Bajrami. Hoti mban numrin 11, ndërsa Bajrami numrin 12. Në krye të listës është Vjosa Osmani, ndërsa numri dy është Lumir Abdixhiku.

Dhjetëshen e parë e kompletojnë Kujtim Shala, Doarsa Kica-Xhelili, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku-Sadriu, Albena Reshitaj, Ukë Rugova, Jeta Statovci e Anton Quni.

Te Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), bartës i listës është Ardian Gjini, ndërsa Ramush Haradinaj garon me numrin 11.

Të tjera

Aktuale

Supremja: Shfuqizohet pagesa prej 3 euro për shoqëruesit në spitale

Gjykata Supreme ka shfuqizuar pjesërisht Udhëzimin