Dje Parlamenti Evropian votoi rezolutën për bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, raportues për të cilën ishte eurodeputeti austriak Lukas Mandl (EPP), transmeton Botapress.info
Këtë e ka bërë të ditur Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Astrit Zemaj.
Sipas Zemajt ,raporti u bën thirrje shteteve të luftojnë krimin e organizuar dhe BE-së të mbështesë këto përpjekje përmes ndihmës financiare dhe bashkëpunimit praktik. Sipas tekstit të Rezolutës, korrupsioni, dezinformimi, elementet e kapjes së shtetit, pabarazia dhe ndërhyrja nga regjimet jodemokratike si Rusia dhe Kina, janë faktorët kryesorë të cenueshmërisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas Rezolutës, lidhja e liberalizimit të vizave për Kosovën me luftën kundër krimit të organizuar është kundërproduktive pasi izolimi inkurajon aktivitetet kriminale. Kjo rezolutë nënvizon edhe një herë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe i bën thirrje Këshillit që të përmbyllë këtë proces.
Parlamenti Evropian ka mirëpritur marrëveshjen e punës së EUROPOL-it me autoritetet e zbatimit të ligjit të Kosovës, dhe ju bën thirrje shteteve anëtare të BE-së të mbështesin Kosovën në procesin e anëtarësimit në INTERPOL.