Ambasadori francez Olivier Guerot ka thënë se kërcënimet ndaj politikanëve janë shqetësuese.
Ai tha se kërcënuesit duhet të hetohen, derisa ka ofruar mbështetjen.
“Shqetësuese janë lajmet për kërcënimet ndaj liderëve politikë. Jam i bindur se do të hetohen. Mbështetje e plotë për Kosovën dhe demokracinë e saj të lulëzuar”, ka shkruar ai në Twitter.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është deklaruar dje lidhur me raportimet për planin për atentat ndaj tij dhe tre deputetëve të partisë me të cilën udhëheq, Arben Gashi, Avdullah Hoti e Armend Zemaj.
Abdixhiku ka thënë se nuk ndihet i rrezikuar dhe se Policia e Kosovës e ka ofruar sigurinë e nevojshme, por që konsideron se nuk ka nevojë për mbrojtje të afërt.
Nënkryetari i kësaj partie, Kujtim Shala, ka thënë se atentati është planifikuar për arsye politike.
“Mund të konfirmojë se ka pasur një lloj planifikimi në Kosovë dhe disa vende të BE-së dhe jashtë territorit të Evropës. Individët kanë rënë pre e përgjimeve të njërës prej agjencive inteligjente kryesore të një vendi të BE-së. Nga ajo që na është thënë ka pasur një plan të strukturuar për atentat ndaj Abdixhikut dhe tre deputetëve të LDK-së”.
Shala nuk ka dhënë emrat e deputetëve që ishin pjesë e kësaj liste për atentat, që sipas tij, po përgatitej nga dy organizata./Botapress.info