Paqartësitë ligjore dhe ndëshkimi i padrejtë i qytetarëve për xhamat e errësuar në automjete

Në periudhën e fundit, qytetarët e Republikës së Kosovës janë përballur me paqartësi të konsiderueshme ligjore lidhur me përdorimin e xhamave të errësuar në automjete, si dhe me ndëshkime të shqiptuara nga Policia e Kosovës për këtë çështje. Kjo situatë ka krijuar pasiguri juridike dhe nevojë për një sqarim të qartë institucional, me qëllim të garantimit të sundimit të ligjit dhe zbatimit të drejtë të legjislacionit në fuqi.

Kronologjia e legjislacionit tregon se ndalimi i xhamave të errësuar ka qenë i parashikuar qartë në ligjet e mëparshme. Ligji Nr. 02/L-70 për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor (2007), në nenin 200 paragrafi 1 nënparagrafi (e), ndalonte shprehimisht vendosjen e xhamave të errët në automjete, ndërsa për shkeljen e kësaj dispozite parashihej gjobë sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen prej 35 euro! Po ashtu, Ligji Nr. 05/L-088 për Rregullat e Trafikut Rrugor (2016), në nenin 204 paragrafi 1.5, ndalonte vendosjen e folieve ose materialeve të tjera për errësimin e xhamave në mjet, për shkeljen e kësaj dispozite parashihej gjobë sipas paragrafit 5 të të njëjtit nen prej 60 euro, por duke lejuar përjashtime vetëm për mjete të caktuara zyrtare me autorizim të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Një ndryshim i rëndësishëm në qasjen e ligjvënësit u reflektua në Projektligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor (mars–prill 2023), ku në nenin 208 paragrafi 2 ishte parashikuar qartë se “lejohet vendosja e folies ose e ndonjë materiali tjetër me qëllim të errësimit të xhamave në mjet”, ndërsa paragrafi 2.1 parashihte që Ministria përkatëse ta rregullonte këtë çështje me akt nënligjor në përputhje me direktivat evropiane. Ky formulim dëshmon qartë vullnetin e ligjvënësit për liberalizimin e kësaj fushe dhe për harmonizimin e legjislacionit vendor me standardet evropiane.

Në Ligjin përfundimtar Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor (2024), ndryshe nga ligjet paraprake, nuk është përfshirë asnjë dispozitë që ndalon shprehimisht vendosjen e folieve për errësimin e xhamave. Ligji përmban vetëm nenin 205, i cili rregullon vendosjen e pjesëve shtesë në mjet, duke ndaluar vendosjen e sendeve që mund të shkaktojnë dëm për personat që barten në mjet ose për pjesëmarrësit e tjerë në trafik dhe duke parashikuar gjobë prej 40 euro për shkeljen e kësaj dispozite. Kjo dispozitë ka ekzistuar edhe në ligjet paraprake (neni 201 i Ligjit Nr. 02/L-70 dhe neni 205 i Ligjit Nr. 05/L-088), duke dëshmuar se qëllimi i saj ka qenë gjithmonë rregullimi i çështjeve të sigurisë që lidhen me vendosjen e objekteve të rrezikshme në mjet(si vendosja e objekteve të rënda dhe të pafiksuara brenda automjetit, si valixhe apo sende të forta në panel, të cilat mund të lëvizin gjatë frenimit dhe të lëndojnë pasagjerët, si dhe jashtë automjetit, ky nen ndalon vendosjen P.sh. e shufrave metalike ose pjesëve të mprehta në pjesën e përparme të makinës, si dhe bartjen e ngarkesave të palidhura mirë që mund të bien në rrugë dhe të rrezikojnë sigurinë e trafikut), e kurrsesi me errësimin e xhamave.

Prandaj, aplikimi i këtij neni për rastet e errësimit të xhamave duket se po përbën një interpretim të gabuar dhe një zgjerim të padrejtë të dispozitës ligjore.

Megjithatë, Udhëzimi Administrativ (MPB) Nr. 12/2024 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 04/2023 për Regjistrimin e Mjeteve, në nenin 27 paragrafët 1–4, parashikon se xhamat e errët lejohen vetëm për automjetet që janë të prodhuara si të tilla nga prodhuesi, ndërsa vendosja e letrës së errët ngjitëse për hijezim është e ndaluar, përveç rasteve të jashtëzakonshme me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme. Duke qenë se ky është një akt nënligjor, ai duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe nuk mund të krijojë ndalime apo kundërvajtje që nuk janë të parashikuara me ligj. Në këtë kontekst, lind pyetja legjitime: nëse projektligji kishte planifikuar lejimin e xhamave të errësuar dhe ligji përfundimtar nuk e ndalon shprehimisht këtë praktikë, mbi çfarë baze juridike mund të vendoset një ndalim përmes një udhëzimi administrativ?

Praktika e Policisë së Kosovës për shqiptimin e gjobave prej 40 euro ndaj qytetarëve, duke u bazuar në nenin 205 të Ligjit Nr. 08/L-186, përbën një shqetësim serioz në raport me parimin e ligjshmërisë. Ndëshkimi i qytetarëve për një veprim që nuk është i parashikuar qartë si kundërvajtje bie ndesh me parimin themelor juridik “Nullum crimen, nulla poena sine lege” – nuk ka kundërvajtje dhe as dënim pa ligj. Ky parim garanton sigurinë juridike dhe mbrojtjen e qytetarëve nga ndëshkimet arbitrare apo interpretimet e zgjeruara të ligjit.

Në këto rrethana, është e domosdoshme që institucionet përkatëse të ndërmarrin hapa konkretë për sqarimin dhe harmonizimin e legjislacionit në fuqi. Komisioni për Vendosje i Policisë së Kosovës duhet të rishikojë praktikën aktuale dhe të lëshojë një shkresë zyrtare për të mos aplikuar nenin 205 për rastet e errësimit të xhamave, pasi një praktikë e tillë nuk përbën zbatim të drejtë të ligjit. Njëkohësisht, është e nevojshme që të sqarohet nëse Ligji Nr. 08/L-186 pasqyron qartë vullnetin e ligjvënësit apo nëse ekziston nevoja për ndërhyrje ligjore ose rishikim të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 12/2024, në mënyrë që të sigurohet përputhshmëri e plotë me ligjin dhe zbatim i njëtrajtshëm i tij.

Kësisoj, reagimi synon të kontribuojë në informimin e drejtë të qytetarëve dhe në forcimin e sundimit të ligjit, duke kërkuar një interpretim dhe zbatim të drejtë, transparent dhe të bazuar në dispozita të qarta ligjore. Vetëm përmes një qasjeje të tillë mund të ruhet besimi i qytetarëve në institucionet shtetërore dhe të garantohet siguria juridike në Republikën e Kosovës.

Të tjera

Lajme

Kur do të kthehet Vjosa Osmani në LDK? – flet Besian Mustafa

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Aktuale

Kuvendi i Kosovës nesër me dy seanca plenare

Kuvendi i Kosovës do të mbajë