Sot në Policinë e Kosovës do të protestojnë Flota Operative dhe punëtorët e Departamentit Mbështetës Operativ për të shprehur pakënaqësitë për pagat, përkatësisht për mosrregullimin e vlerës së koeficientëve sipas pozitave të tyre.
Kështu bëri të ditur për KosovaPress kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri i cili theksoi se kjo protestë do të ndikojë edhe në punën e Policisë së Kosovës, sipas të cilit nuk mund të funksionojnë pa këto dy grupe.
Mërgimtarët presin deri në pesë orë në kufi për të dalë nga Kosova
Kryetari në këtë sindikatë, Zeqiri tha se Ministria e Punëve të Brendshme ka tre muaj kur ka premtuar se do të rregullojë vlerën e koeficientit për të njëjtit punëtorë, mirëpo ende nuk ka reagim nga MPB-ja.
Ai thotë se për këtë çështje ka dërguar shkresë për takim sot edhe tek Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
“Arsyeja është se në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë premtuar para tre muajve se do të rregullojnë vlerën e koeficienteve sipas pozitive që kanë, ku në këtë grup janë, automekanik, autolimarët, muratorët, ujë-instaluesit, elektricistët e shumë kategori të mjeshtërive, ku me Ligjin e ri të pagave janë diskriminuar shumë”, thotë Zeqiri.
Zeqiri tha se numri i këtyre punëtorëve që do të protestojnë është rreth 100.
Ai derisa tha se këtyre punëtorëve ju ka humbur durimi të presin më gjatë, shtoi se kategoritë e lartpërmendura kanë mbetur në kategorinë e koeficientit të një mirëmbajtësi.
Ai në fund shtoi se me Ligjin e punës, zyrtarët policorë nuk kanë të drejtë të hyjnë në grevë.
Ligji për paga, i cili është në fuqi nga muaji shkurt, kishte përcaktuar vlerën e koeficientit të pagës në sektorit publik 105 euro.
Megjithatë, ky ligj është në Gjykatën Kushtetuese të cilin më 7 prill Avokati i Popullit e ka dërguar në Kushtetuese.
Lidhur me këtë, Avokati i Popullit kishte pranuar ankesa nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, zyrtarë komunal të arsimit, infermierë, mjekë, Sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucione e organizata të tjera.