Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka thënë se asnjëherë në karrierën e tij politike nuk ka qenë bllokues i formimit të institucioneve, por gjithmonë ka dhënë kontributin e tij në shtetndërtim.
Ai ka thënë se edhe në ditën kur u votua Qeveria “Kurti 2” ka bërë përpjekje maksimale për të arritur në Kosovë, por kjo ka qenë e pamundur.
“Unë jam nisur me ardh për ta votuar Albin Kurtin. Unë e kam votuar qeverinë “Kurti 1” në momente më specifike dhe do ta votoja edhe “Kurti 2”. Unë jam nisur me ardhë dhe kam qenë i bllokuar në Aeroport për shkak të masave pandemike. Unë nuk kam qenë në Evropë, kam qenë jashtë Evropës dhe ai shtet ku unë isha ishte nën masa të rrepta për Zvicrën ku e kisha destinacionin. Kështu që jam vonuar, unë kam ardhur atë ditë në Kosovë, por kam ardhur me një vonesë të madhe dhe nuk ia ka vlejtur të deklarohem për atë”, ka thënë Pacolli.
Sipas tij, prezenca do të ishte vetëm formale ngase e dinte se Kurti i kishte votat e mjaftueshme për ta formuar Qeverinë.
“Një gjë e kam ditur se Kurti i ka votat dhe nuk ka nevojë për votën time dhe prezenca ime do të ishte krejtësisht formale, dhe mua gjërat formale nuk më nevojiten, dua të bëjë gjëra praktikisht që kanë skelet dhe shpirt”, ka thënë ai./Botapress/