Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër pas rastit të fundit të dhunës në Gadime të Ulët, ku një grua u sulmua me sëpatë nga ish-bashkëshorti i saj, pavarësisht se kishte një urdhër aktiv mbrojtjeje.
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Osmani e cilësoi femicidin si “plagë të hapur” dhe “krizë kombëtare”, duke thënë se problemi nuk mund të reduktohet në statistika apo raste të izoluara.
“Kur një urdhër mbrojtjeje mbetet letër, atëherë rreziku bëhet realitet. Dhe realiteti na vret”, deklaroi Osmani, duke shtuar se rastet e dhunës ndaj grave tregojnë qartë se dokumentet nuk shpëtojnë jetë – por zbatimi, reagimi dhe vendosmëria po.
Presidentja theksoi se pas çdo numri që shënon policia fshihet një histori e thyer, një jetë e rrezikuar dhe një fëmijë i traumatizuar. Ajo bëri thirrje për veprim urgjent dhe të pandalshëm të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.
“Askush që ushtron dhunë nuk duhet të ndihet i paprekshëm. Asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur. Nuk ka kompromis kur bëhet fjalë për jetën dhe dinjitetin e grave”, tha Osmani.
Ajo kërkoi përgjegjësi të plotë institucionale, zero tolerancë për dhunuesit dhe trajtim serioz të çdo rreziku potencial që mund të çojë në tragjedi./KosovaPress



Të tjera
Aktuale
Kongresisti amerikan takon Abdixhikun dhe Osmanin në fillim të vizitës
Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike
Aktuale
Murati: Opozita fillimisht i përqeshte shtesat e tash po na kopjojnë në këtë politikë
Ministri në detyrë i Financave, Punës
Aktuale
Haga zbulon pse u kërkua kohë shtesë në rastin e Thaçit e të tjerëve
Gjykata Speciale doli me njoftim lidhur