Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron për vizitë zyrtare në Kroaci. Në qytetin Karlovac, ajo sot ka vizituar sot fabrikën për prodhimin e armëve, HS Product. Nga Ministria e Mbrojtjes s’janë përgjigjur nëse vizita e Osmanit lidhet me ndonjë interesim të Kosovës për t’u furnizuar me armë nga Kroacia. Hera e fundit kur e para e vendit kishte vizituar një kompani të tillë ka qenë në Turqi, shtet nga i cili më pas vendi kishte blerë dronët e famshëm “Bayraktar”.
Me një fotografi ku shihet duke e ‘testuar’ një armë, Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar për vizitën që ka realizuar sot në një kompani që merret me prodhimin e armëve. Bëhet fjalë për kompaninë HS Product, që është e famshme për prodhimin e pistoletave, e që ndodhet në qytetin kroat Karlovac.
Në faqen zyrtare të kësaj kompanie, shihet se e njëjta merret edhe me prodhimin e armëve ushtarake. E tillë është edhe arma e cila shihet në duart e Osmanit. Për këto armë, kompania thotë se kanë përmbushur të gjitha kriteret e NATO’s.
Gazeta Express ka pyetur Ministrinë e Mbrojtjes nëse vizita e të parës së vendit lidhet me interesimin e Kosovës për t’u furnizuar me armatim nga Kroacia dhe nëse Kosova ka një interesim të tillë, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka marrë përgjigje.
As Osmani në njoftimin për këtë vizitë, s’është se ka dhënë ndonjë detaj.
“HS Product – Kompania për prodhimin e armëve. Karlovac, Kroaci”, ka qenë përshkrimi i shkurtë i Osmanit në fotografinë e publikuar.
Vizitat e të parës së vendit në kompani të tilla janë të rralla. Së paku publike, është bërë vetëm një prej tyre.
Osmani kishte zhvilluar vizitë në kompaninë “Baykar”, gjatë një vizite që kishte realizuar në Turqi, në shkurt të vitit 2022. Në njoftimin për këtë vizitë, Osmani s’kishte përmendur interesimin e vendit që t’i ketë këta lloj të dronëve pjesë të arsenalit ushtarak.
“Vizitën në Turqi e fillova në fabrikën për prodhimin e dronëve “Baykar”, në Stamboll, e cila është një rrëfim inspirues për arritjet në sferën e avancimit teknologjik dhe inovacionit të ndërlidhur me sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë”, kishte shkruar Osmani.
Dy muaj pas Osmanit, fabrikën në fjalë e kishte vizituar edhe ish-Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj. Ai njoftuar për së afërmi me dronët nga Shefi ekzekutiv i kompanisë Baykar, Haluk Bayraktar,
“Takimin e radhës e kam zhvilluar në kompaninë Baykar. Gjatë kësaj vizite shefi ekzekutiv i kompanisë Baykar, Z. Haluk Bayraktar më njoftoj për së afërmi me dronët dhe teknologjinë e fundit që po prodhohen në këtë kompani. Falënderoj z. Bayraktar për respektin e tij ndaj Kosovës dhe gatishmërinë e lartë që Kosovës t’i ofroj zgjedhjet më të mira”, kishte shkruar Mehaj.
Një vit më vonë, Kryeministri Albin Kurti, kishte njoftuar se Kosova është furnizuar nga Turqia me këta lloj dronësh.
Sa dronë të tillë janë blerë e kostoja e tyre, nuk dihet ende.
“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia! Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë. Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare!”, kishte shkruar Kurti./Gazeta Express