Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar pas takimeve që ka pasur sot me liderët e partive kryesore opozitare në Kuvendin e Kosovës. Në këto takime, me ftesë të presidentes, ka marrë pjesë edhe drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti.
Osmani ka falënderuar partitë opozitare për qëndrim korrekt dhe përkrahje pas sulmit terrorist në veri dhe i ka siguruar se në çdo fazë të zhvillimeve do të njoftohen lidhur me përgatitjet dhe punën e institucioneve.
“Kryetarët e partive opozitare, janë informuar, brenda kufizimeve që lejon korniza ligjore, lidhur me zhvillimet e sigurisë, punën e institucioneve të Kosovës si dhe për rreziqet e shkaktuara nga Serbia për shkak të agjendës së saj destabilizuese e luftënxitëse e cila po shfaqet nëpërmjet akteve të agresionit dhe të terrorizmit.
Në të gjitha takimet janë përgëzuar institucionet e sigurisë për punën e shkëlqyeshme në ballafaqim me strukturat e dirigjuara nga Serbia që kryen sulmin terrorist kundër Kosovës dhe është shprehur mirënjohje e thellë për angazhimin e pashoq dhe sakrificën e policisë së Kosovës për të mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.”, thuhet në njoftim.
Presidentja Osmani ka theksuar se uniteti nacional në këtë kohë të rëndë për Kosovën është imperativ dhe për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë së bashku.
Ajo i ka falënderuar partitë opozitare për qëndrimin korrekt dhe përkrahjen ndaj institucioneve të sigurisë në këtë fazë të ballafaqimit më agjendën destabilizuese të Serbisë kundër Kosovës.
Osmani po ashtu ka siguruar liderët opozitarë se në çdo fazë të zhvillimeve do të njoftohen lidhur me përgatitjet dhe punën e institucioneve si dhe do të ketë bashkërendim të plotë me aleatët tanë të cilët, në bashkëpunim me institucionet tona të sigurisë, janë garantues të paqes e stabilitetit.