Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por Kosova duhet t’i përmbush standardet e larta të atyre organizatave, deklaroi sot ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien
Ai i ka përmendur Këshillin e Evropës duhet thënë se Kosova tashmë është pajtuar, ose është zotuar, për zbatimin e disa kritereve, për të ecur përpara.
“Njëri prej tyre ka qenë përparimi që është bërë lidhur me kontestin për tokën rreth Manastirit të Deçanit, dhe i kemi mirëpritur publikisht hapat që ka marrë Qeveria për të…por është thënë, po ashtu, që Kosova duhet të bëjë hapa drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para se Këshilli i Ministrave në Këshillin e Evropës të trajtojë këtë pikë, dhe që ai të jetë zbatuar para se Këshilli i Ministrave të votojë për punën e anëtarësiminit”.
O’Brien ka thënë se SHBA-ja vazhdon të përkrahë Kosovën në synimet e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, por që Kosova ka bërë zotime lidhur me Asociacionin dhe se “kjo është pika kritike për të arritur atë që e ka synuar, e që në këtë rast është anëtarësimi”.
“Këto janë disa prej vendimeve të vështira që duhet t’i marrin qeveritë. Ne do t’i mbështesim teksa i marrin këto vendime, në mënyrë që t’i bashkohen komunitetit evropian dhe ndërkombëtar”.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.
Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi këtë tokë ishte konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në majin e vitit 2016, por autoritetet përgjegjëse nuk e kanë zbatuar vendimin.