“Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbesin të vlefshme dhe të detyrueshme,”- kështu thuhet në nenin e 10-të, të planit franko-gjerman, me të cilin tashmë është pajtuar edhe kryeministri Albin Kurti.
E ndërkohë që neni 7, i këtij propozimi përmend në mënyrë më specifike “sigurimin e një niveli të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë,”– me anë të së cilit mund të nënkuptojmë, Asociacionin e komunave serbe, një qasje shumë nxitëse ka marrë ShBA, me zyrtarët kryesorë amerikanë që kanë insistuar për krijimin sa më të shpejtë të Asociacionit.
Escobar për Asociacionin: Obligim
Fillimisht, i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se është obligim që Asociacioni të implementohet dhe se ka pritshmëri të mëdha se një gjë e tillë do të ndodhë.
“Është një obligim ndërkombëtar që duhet të implementohet. Kjo është në marrëveshjen e Brukselit, në këtë marrëveshje (në planin evropian), në konkluzat e Këshillit Evropian dhe është pjesë e politikës amerikane. Ka pritshmëri se do të formohet, për të ecur përpara. Pozicioni është që duhet të formohet në një mënyrë që përbën fitore për të dyja palët, që të dyja palët të gjejnë kanale bashkëpunimi, për popullatën që ka shtetësi të dyfishtë. Është pritshmëri e madhe e jona që do të implementohet,”- ka thënë Escobar.
DASH për Asociacionin: Kritik
Ndërkohë, pas takimit të 27 shkurtit, ka ardhur edhe reagimi i Departamentit të Shtetit, që e ka cilësuar themelimin e Asociacionit, determinues për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës.
Duke lëshuar një komunikatë për media, DASH ka thënë se mirëpret bisedimet e liderëve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, ndërsa ka theksuar se themelimi i Asociacionit është kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një shtet sovarn e multientik.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin bisedimet e liderëve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja më 27 shkurt dhe mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë. Marrëveshja mbi aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së. Progresi drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike,”- thuhej në njoftimin e DASH-it.
Hovenier për Asociacionin: I rëndësishëm
Përderisa ka komentuar nenin 7-të të planit franko-gjerman, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, e ka cilësuar themelimin e Asociacionit si një komponent thelbësor të marrëveshjes.
Sipas ambasadorit, çështja e vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë është një referencë për Asociacionin.
“Mendoj se kjo çështja e nivelit të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë është referencë për Asociacionin dhe sërish, tashmë e kam shprehur në këtë intervistë, dhe, shumë herë, i kam shprehur pikëpamjet e Shteteve të Bashkuara se kjo është pjesë e saj, se përparimi në çështjen e Asociacionit është pjesë e rëndësishme e zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe çka është më me rëndësi, deri në një masë edhe për Kosovën që e përmbush atë vizionin e përbashkët që e kemi si një shtet shumetnik, sovran e demokratik,” – ka thënë Hovenier.
Hill për Asociacionin: Urgjent
Në të njejtën linjë mendimi mbi çështjen ka shkuar edhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili e ka bërë të qartë se çështja që duhet të zgjidhet urgjentisht, është ajo e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Mendoj që çështja më urgjente për t’u zgjidhur është ajo e Asociacionit të Komunave me Shumice Serbe dhe ka disa arsye për këtë, një prej tyre është se çështja ka qenë aty për dhjetë vite, dhe së dyti, mendoj që nëse fillojmë me këtë, njerëzit, serbët në Kosovë, do të rikthehen në institucione. Ajo çfarë po mundohemi të bëjmë është ta qetësojmë situatën, sepse është e nevojshme,” – ka thënë Hill.
Asociacioni – 16 modele !!!
E ndërsa duke se të gjitha këto mesazhe i janë drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke ditur se qasja e Vuçiq ishte vlerësuar më shumë gjatë gjithë dialogut, kujtojmë se gjatë ditës së sotme emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak ka thënë se lidhur me zbatimin e Asociacionit, ekzistojnë 16 modele.
“Kemi shikuar modele ekzistuese dhe mund t’iu them që këtu në tavolinën time kam 16 modele evropiane, por nuk mund t’i listoj ato. Nuk dua të tregohem se po bëj favor për një palë apo tjetrën,” – është shprehur Lajçak.
Kujtojmë edhe se pas takimit të mbajtur më 27 shkurt në Bruksel, kryeministri Kurti ka bërë të ditur se ai ka qenë i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen, për të cilën e dimë se e përmban edhe formimin e Asociacionit, mirëpo sipas Kurtit, një gjë e tillë është refuzuar nga pala serbe.