Vetëm tetë subjekte politike kanë aplikuar deri më tani për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të vjeshtës. Data e fundit për dorëzimin e aplikimit dhe listës së kandidatëve është 16 gushti dhe sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk do të ketë afat shtesë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për Ekonomia Online se kanë aplikuar pesë iniciativa qytetare, dy kandidatë të pavarur dhe një parti politike. Sipas tij, asnjëra nga këto subjekte nuk është parti parlamentare.
Ndërkaq, i pyetur lidhur me mundësinë që KQZ-ja të zgjasë afatin e aplikimit, Elezi ka thënë se afati i vendosur nga KQZ-ja është mbështetur ne ligj dhe si i tillë nuk mund të ndryshohet.
Gjithashtu, Elezi bëri të ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë verifikimin e kandidatëve nëse janë në përputhje me Nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në bashkëpunim me institucionet tjera, varësisht nga fusha e përgjegjësisë që mbulojnë ato.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të bërë verifikimin e kandidatëve që garojnë në zgjedhje, do të bashkëpunojë me institucione të ndryshme, pra me qëllim të verifikimit të kandidatëve nëse janë në përputhje me Nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Në këtë drejtim, KQZ-ja do të bashkëpunojë me PZAP-in, KGJK-në, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes, AKI-në dhe Doganat e Kosovës, pra për t’i pyetur këto institucione, nëse personat të cilët janë paraqitur nga ana e subjekteve politike për t’u certifikuar janë në përputhje me Nenin 29, varësisht se cila fushë e përgjegjësisë mbulohet nga këto instituicone”, tha Elezi.
Në anën tjetër, KQZ-ja është duke vazhduar të pranojë aplikimet për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.
Sipas të dhënave të KQZ-së, deri të premten janë pranuar 2,646 aplikime, prej tyre janë aprovuar 2,461 ndërsa 185 të tjera jo, sepse nuk kanë përmbushur kriteret ligjore. Afati për regjistrim përfundon më 18 gusht.