Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka propozuar që të shtohet në rend dite të seancës plenare edhe dokumenti i vendimit për masat emergjente për furnizim me energji.
“Qeveria me 11 janar ka miratuar vendimin për masat emergjente për furnizimin me energji. Më 12 janar i është sjellë Kuvendit. Ky dokument është protokolluar në Kuvend ju ftoj ta shtoni në rend të ditës”.
Megjithatë, mocioni për vendimin e Qeverisë për masat emergjente nuk ka marrë votat e mjaftueshme të deputetëve për të hyrë në rend dite.
Kjo pasi partitë opozitare kanë kundërshtuar propozimin.
LDK-ja ka thënë se Qeveria ende s’ka dhënë përgjigje për pyetjet që deputetët ia kanë parashtruar.
“LDK e kundërshton propozimin e LVV-së, është propozimi i 7-të me radhë që bëhet dhe Qeveria nuk e ka dhënë asnjë përgjigje për pyetjet që ia kemi shtruar tash e një kohë të gjatë. Cilat janë pasojat e këtyre masave: Aprovo masa emergjente dhe shpenzo buxhet në mënyrë të paplanifikuar. Për ne është e papranueshme dhe e papërgjegjshme”, ka thënë shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi.
Kurse, Ferat Shala i PDK-së ka thënë se nuk do të flasin për kërkesën e Qeverisë pa marrë përgjigje mbi shfuqizimin e rregullores së investitorëve strategjikë.
“Në emër të PDK-së nuk e mbështesim këtë nismë të zhytur thellë në korrupsion dhe në mafinë energjetike të vendit”, ka thënë Shala.
As AAK-ja nuk i ka dhënë mbështetje propozimit.
“Thua se sot ka ndodhur kriza energjetike, thua se sot duhet të votohet me emergjencë në vend që të procedohet plotësim ndryshimi i ligjit, ne prapë votojmë vendime të tilla që i kushtojnë shtetit. Sot prapë vini me propozimin e shtatë. AAK nuk do ta mbështesë mocionin procedural dhe as vendimin që e keni sjellë”, ka thënë deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.