Disa minuta pasi abstenoi në shqyrtimin e propozimit të kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e anëtares së OSHP-së, Kimete Gashi, deputeti i LVV-së Eman Rrahmani është “marrë në pyetje” nga Mimoza Kusari-Lila dhe Armend Muja.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së dhe kryesuesi i Komisionit për Buxhet dhe Financa, dy figura qendrore të LVV-së në kuvend, zhvilluan një bisedë të përbashkët me Rrahmanin gjatë pauzës së deputetëve, disa minuta pas abstenimit të Rrahmanit ndaj vendimit të Qeverisë Kurti.
Relaks pas publikimit të përgjimeve: Kolegët e VV-së i qëndrojnë afër Kusari-Lilës
Në pamjet direkte nga pauza e deputetëve brenda sallës së kuvendit, shihen Kusari-Lila dhe Muja derisa i afrohen Rrahmanit dhe bisedojnë me të për disa minuta. Muja largohet i pari derisa shkëmben disa fjalë me deputetin Rrahmani.
Paparaci raportoi sot se si Eman Rrahmani dhe Visar Korenica abstenuan sot në një mbledhje të Komisionit Parlamentar për Buxhet, të udhëhequr nga kryesusi Armend Muja, ndaj propozimit të kryeministrit Kurti për shkarkimin e Gashit.
Qeveria e ka miratuar në maj të këtij viti propozimin për shkarkimin e Gashit dhe atë ia ka proceduar kuvendit. Vet shefi i qeverisë e ka propozuar shkarkimin e anëtares së OSHP-së.
“Shëndeti publik po rrezikohet me vendimin për furnizimin me insulina. Bazuar në vendimin në fjalë, lejohet furnizimi me insulina pa autorizim marketingu”, ka thënë Kurti në mbledhjen e qeverisë më 10 maj. “Detyrohemi të marrim masa”.
Megjithatë, propozim-vendimi i Kurtit ka ngecur në komision. Aty është ‘rrëzuar’ nga deputetët e tij të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë abstenuar në shqyrtimin e propozimit në mbledhjen e komisionit të hënën.
Abstenimet e Eman Rrahmanit dhe Visar Korenicës kanë rezultuar në dështimin e kësaj pike./Botapress.info/