Shteti amerikan i Nju Jorkut të premten e regjistroi shifrën më të madhe ditore të të infektuarve me koronavirus, sipas guvernatores Kathy Hochul.
Ky shtet raportoi 21.027 raste nga më shumë se 263.000 persona të testuar. Shkalla e rasteve pozitive në mesin e të testuarve ishte 7.98 për qind, shkroi guvernatorja në një rrjet social.
Përpos infektimeve, u raportuan edhe 3.839 hospitalizime e 60 të vdekur, përcjell Gazeta Express.
“Ne nuk mundemi dhe nuk do të kthehemi aty ku ishim para 21 muajve. I kemi mjetet për ta luftuar virusin. Vendoseni maskën. Vaksonohuni. Nëse jeni të vaksinuar plotësisht, merreni dozën përforcuese sa më shpejt që mundeni”, shkroi zonja Hochul.
Ajo shtoi se rritja e numrit të rasteve gjatë dimrit është përkujtim se pandemia nuk ka përfunduar ende dhe se njerëzin duhet të kenë kujdes shtesë për t’i mbajtur të tjerët dhe veten të sigurt.
Sipas Qendrave për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në ShBA, rastet me variantin Omicron në Nju Jork dhe Nju Xhersi javën e kaluar përbënin 13.1 për qind të të gjitha infeksioneve.