“Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, i cili parasheh mundësinë e 20% të trupit elektoral që të dalin dhe ta shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin kryetarëve aktualë”.
Kështu ka deklaruar kryeministri Albin Kurti të enjten e 10 gushtit, duke u përgjigjur para gazetarëve për rrugën që çon në përfundimin e mandatit të parakohshëm të kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës dhe në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.
Rasti i Bon Vivantit, Policia vë në kërkim zyrtarisht Dukagjin Nikolljan
Deklarata e Kurtit vjen në kohën kur Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Pushtetit Lokal, ka filluar punën për hartimin e Udhëzimit Administrativ për largimin e katër kryetarëve.
Por, ky paralajmërim i kryeministrit Kurti dhe njëherit kryetarit të Vetëvendosjes, mund të sjellë pasoja të rrezikshme dhe është jashtë përcaktimeve që ofron Ligji për Vetëqeverisje Lokale, nëse i njëjti do të përcaktohet në Udhëzimin Administrativ, i cili pritet të jetë i gatshëm deri në fillim të muajit shtator.
I njëjti do të mund të përdorej jo vetëm në rastin e kryetarëve të veriut, por do të mund të shtrihej edhe në komunat e tjera. “20 përqindëshi” do të mund të arrihej fare lehtë nga subjektet opozitare në çdo komunë tjetër të Kosovës. Rrjedhimisht, çdo kryetar komune mund të përfundojë i larguar parakohshëm nga posti i tij me vetëm “20% të trupit elektoral”.
Demokracia.com ka raportuar një ditë më herët se kryeministri Kurti ia ka huqur interpretimit të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, pasi që mandati i një kryetari nuk mund të ndërpritet me 20% të elektoratit, por për këtë duhet të votojnë mbi 50% e votuesve të regjistruar.
“Nëse shumica e votuesve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi Zgjedhjet”, thuhet në nenin 72, paragrafin 3 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.
“20 përqindëshi” që përmendet nga Kurti, sipas këtij ligji, nuk i referohet procesit të votimit, por vetëm inicimit të largimit të kryetarëve, kërkesë që duhet të nënshkruhet nga 20% e votuesve të regjistruar në atë komunë. /Botapress.info/