Esmeralda Nikaj shkrimin e ka pasion. E rritur në jugun e Shqipërisë, ajo që në moshën e re ka shkruar ese, poezi dhe prozë në gazetën e shkollës, Tani jeton mes Vlorës dhe Vjenës dhe është në përgatitje të botimit të librit të saj të parë.
VlORËS
Në ëndrrat e mia je ti
Pafundësisht e kaltër
Tokë diellore
Me ishujt përqafuar
E ndjej
Atë aromë jodi
Që shpërthyer brigjeve
Si një puthje lëkurën më ngjit
Vetëm kaq larg t’a ndjej mallin e pafundësisë
Që më ke dhënë në shpirt
Nuk është e lehtë të kesh në gjak detin
E të mësosh të jetosh mes malesh
Çdo rreze mëngjesi do të të ngjasonte
Me këngën e vjetër të dallgëve
Vlorë
Çdo ditë të mbaj me vete
Tokë e ashpër
Përplasur në dy dete.
TI
Tani ti po fle
Vetëm pak orë më parë
Ti ngrite stuhitë e zemërimit
Për t’i përplasur
Drejt meje
Të kuptoj
Nuk është e thjeshtë të jesh burrë
Në një kohë kur gjithçka të bën të mos jesh
Ti
Prapë fle si engjëll
Unë
Brinja e munguar
Plotësimi i trupit tënd
Të shoh si fle në heshtje
Dhe kam mallë
Për sytë që prapë do të më prekin
Për buzët që do më puthin sërish
Për dritën që vizatohet në fytyrën e detit
Kur përqafimi të na mbushë me frymë
Dhe kur të tjera stuhi të përplasen tek unë
Si engjëll që fushon rreth meje
Ti prapë do të më mbrosh.
GRUAJA ME TË ZEZA
Ty që tash e sa kohë
Më vjen vërdallë
Të kam urrejtur
Sa herë vije tek unë
Dhe më bëje të qaja
Për fëmijën e fshehur
Në barkun tim
Me afsh vjedhurazi shikoje
Si më tradhtonin
Lotët që dilnin
Nga sytë e pafjetur
Shpirtin ma peshoje me gramë
Me lule m’i mbushje ëndrrat
Ato të pasmesnatës
Që u vranë nga dora
Që nuk ishte e imja
Vetëm ty
Nuk e gënjej dot
Sepse ti je në mua
Aty diku
Fare pranë.
Aty diku Fare pranë.
PËRGJITHMONË ATY
Çdo pikë e ujit që bie në lëkurën time
Me mendjen tek ty me zgjon ndjesi
E kur ti nuk je me mua
Numëroj perëndimet
E lindjet e diellit
Ëndrrën tonë
Dhe më shumë e dua.
Por, në errësirë
Kur duart tona të preken plot dëshirë
Njëri – tjetrin duke kërkuar deri në dhimbje
Unë e di
Se deri në pritje të perëndimeve të tjera
Me shpresën e agimeve të reja
Ti do të jesh aty.
GJENEZA
Në fillim ishte fjala
Pastaj dy njerëz
Mes fjalëve rrugën gjetën
Duart zgjatën
Shpirtrat përqafuan
Dhe u betuan
Për kështjella ëndrrash
Për dete dashurie
Për zjarre pafundësie
Flokëshpritshur
U takuan diku
Syve të njëri-tjetrit shëtitën
Ca pika shiu
Panë gjithçka
Madje dhe puthjen
Që atë natë
Nuk u dha.