Gjykata Themelore e Ferizajt ka njoftuar se ka caktuar një muaj paraburgim për menaxherin e qendrës së skijimit “Brezovica”, Sasha Ilic dhe zyrtarin e doganës N.G.
Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy (2) të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i’u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara si më lartë”, ka njoftaur Gjykata.
Sasha Ilic dhe doganieri dyshohen se kanë kryer veprën penale marrje e ryshfetit në ndihmë.
“N.G. i dyshuar për shkak të veprës penale marrja e ryshfetit në ndihmë nga neni 428 paragrafi. 2 lidhur me nenin 33 të KPRK-së. S.I. i dyshuar për shkak të veprës penale marrja e ryshfetit në ndihmë nga neni 428 paragrafi.2 lidhur me nenin 33 të KPRK-së”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Ferizajt.
Dy pistoleta në shtëpi menaxherit të Qendrës së Skijimit “Brezovica”, Sasha Iliq, i cili u arrestua gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës të mërkurën.
Përveç pistoletave, nga ky operacion në shtëpinë e Iliqit u sekuestruan fishekë të kalibrave të ndryshëm, 4 mijë e 600 euro kesh, një telefon celular, tri radiolidhje, një gaz maskë, një thikë ushtarake dhe një pushkë gjuetie./Botapress.info/