Gjykata i ka caktuar nga një muaj paraburgim I. dhe M. Raifit, dy të dyshuarve për një ballafaqim me dy zyrtarë policorë të enjten.
M. Raifi, dyshohet për “vrasje të rëndë në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve”, ndërkaq I. Raifi dyshohet për “sulm ndaj personit zyrtar”.
Gjykata, në aktvendimin për caktimin e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve, ka përshkruar rrethanat e ngjarjes.M. Raifi dhe I. Raifi dyshohen se me datë të enjten në mbrëmje, derisa zyrtarët policor E.B dhe L.H kishin qenë duke patrulluar këmbë të angazhuar në planin operativ për parandalim të vjedhjeve dhe veprave tjera penale, ishin sulmuar nga i dyshuari M.R i cili fillimisht kishte tentuar t’i godasë me veturën e tij BMW dhe me pas nga vetura kishte shtënë me armë në drejtim të zyrtarit policor L.H.
Polici i Stacionit Policor në Kodrën e Trimave, paraprakisht i ishte prezantuar të dyshuarve si zyrtar policor dhe e kishte urdhëruar që të ndalet, mirëpo i dyshuari nuk kishte përfillë urdhrin dhe nga një distancë e shkurtë kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të tij duke i rrezikuar drejtpërdrejtë jetën.
Zyrtarët policor kishin arritur ta ndalojnë të dyshuarin M. Raifin, mirëpo gjatë ballafaqimit me të, dy zyrtarët policor ishin sulmuar fizikisht nga i dyshuari I. Raifi i cili i kishte goditur me grushte duke ju shkaktuar lëndime trupore, në këto momente kishin arritur edhe njësi tjera policore dhe kishin futë situatën nën kontroll, ku edhe u bë arrestimi i dy të dyshuarve.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Botapress.info/