Pavarësisht kritikave, janë miratuar në parim ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale që përfshinë gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. Por, MD-ja nuk është mjaftuar me kaq. Ministrja Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se së shpejti do të procedojnë edhe ndryshimet për gjykimin në mungesë të veprave tjera penale. Një gjë e tillë po përkrahet edhe nga opozita, por po kritikohet nga njohësit e çështjeve që ndërlidhen me fushën e drejtësisë.
Nisma për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale në aspektin e gjykimeve në mungesë, është miratuar para dy ditësh në parim nga Kuvendi i Kosovës. Por, këto ndryshime janë kritikuar nga opozita, për shkak që sipas tyre në këtë Kod përveç gjykimit në mungesë për kriminelët e luftës, duhet të përfshihet edhe gjykimi në mungesë për vepra tjera penale.
E ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka deklaruar se shumë shpejt do ta dërgojnë në Kuvend edhe draftin e Kodit të ri të Procedurës Penale që do të lejojë gjykimet në mungesë edhe për veprat e tjera penale, ashtu siç kërkoi edhe opozita.
“Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, miratoi në parim plotësim-ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale me qëllim të lehtësimit, të gjykimit në mungesë të kriminelëve të luftës. Brenda një kohe të shkurtër do të procedojmë me draftin e ri të Kodit të Procedurës Penale, ku do të lejohet gjykimi në mungesë edhe për veprat tjera penale, ashtu siç e paralajmëroi kryeministri Kurti”, ka thënë Haxhiu.
Por një gjë e tillë sipas njohësve të rrethanave nuk duhet të ndodhë.
Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për Express se gjykimi në mungesë edhe për vepra të tjera penale është shkelje e të drejtave të njeriut.
“Ndryshime të tjera, jo nuk janë të nevojshme dhe unë mendoj që është kundër të drejtave të njeriut. Meqë kemi probleme me gjykimin e krimeve të luftës dhe nuk mund t’i gjejmë përmes adresave, atëherë është gjet si zgjedhje kjo”, ka thënë ai.
Sipas tij numri i krimeve të pazbuluara për vepra të ndryshme penale, nuk ka të bëj me mungesën e adresave por me hetimet nga gjykatat dhe prokuroritë në vend.
“Në rastin konkret është absolutisht i panevojshëm sepse numri i krimeve që janë të pazbuluara nuk ka të bëj për shkak të mungesës së adresave por për shkak të mungesës së hetimeve konkrete nga ana e Gjykatave dhe Prokurorive në vend”, ka thënë Spahija.
Në ndërkohë sipas Gzim Shalës nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, gjykimi në mungesë në vendet demokratike është përjashtim.
Sipas tij, gjykimi në mungesë është i nevojshëm vetëm në rastet e krimeve të luftës.
“Gjykimi në mungesë në vende demokratike është përjashtim. Gjykimi në mungesë kufizon disa të drejta të të pandehurit në procedurë penale. Për këtë arsye, kërkohet një arsye legjitime për aplikimin e gjykimit në mungesë në fusha të caktuara. Në këtë drejtim, në raport me krimet e luftës, gjykimi në mungesë është i nevojshëm për shkak të specifikave që kanë këto raste, të cilat specifika nuk i kanë kategoritë e tjera të veprave penale”, ka thënë ai.
Për këtë arsye sipas hulumtuesit të IKD-së, MD-ja duhet të mjaftohet vetëm me sanksionimin e gjykimit në mungesë për kriminelët e luftës dhe jo edhe për kategoritë e tjera të veprave penale.
“Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë duhet të mjaftohet me sanksionimin e gjykimit në mungesë vetëm në rastet e krimeve të luftës, dhe jo edhe për kategori të tjera të veprave penale. Sidoqoftë, çdo vendim lidhur me gjykimin ne mungesë duhet të adresoj opinionin e Komisionit të Venecias për Kosovën që kanë dhënë lidhur me këtë çështje”, ka deklaruar ai.
Në ndërkohë në seancën e së hënës në Kuvendin e Kosovës, ish-ministri i Drejtëssië, Abelard Tahiri ka kërkuar që gjykimi në mungesë të vlejë edhe për veprat e tjera penale dhe jo vetëm për kriminelët e luftës.
“Gabimin që ka bërë në vitin 2019 po mundohet ta përmirësojë. Por, ky është gabimi i radhës që po bën. Gjykimi në mungesë duhet të vlejë edhe për vepra tjera. Po ia kujtoj Kurtit atë që tha më herët, se do t’i gjykojnë në mungesë vrasësit e Mon Balajt e Arben Xheladinit. Por, unë i tregoj që me këtë propozim të ministres së Drejtësisë nuk mund të bëhet një gjë e tillë. Merreni kodin e procedurës penale që e kemi lënë gati. Ministrja Haxhiu e përmendi që ka pak prokurorë për krime lufte. Ka qenë Qeveria Kurti e cila e ka shkurtuar buxhetin për Këshillin Prokurorial”, ka thënë Tahiri./Botapress/