Nga vdekja e mistershme, deri tek suspendimi i tre zyrtarëve shtetërorë, krejt çka dihet për rastin e Astrit Deharit

Tre zyrtarë të shtetit janë suspenduar nga puna për rastin që lidhet me vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari që ndodhi në vitin 2016. Sot u suspendua kryeinspektori i Inspektoratit në Ministrinë e Drejtësisë, Ylber Topalli.

Ditë më parë u suspenduan edhe udhëheqësi i Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë Burim Buleshkaj dhe zyrtari Korrektues, Destan Zogaj. Pas shkarkimit të tyre, një reagim erdhi edhe nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu bëri thirrje që institucionet të zbardhin çdo rrethanë për rastin Dehari.

“Sot, Komisioni Disiplinor i SHKK, ka marrë vendim për pezullimin e dy zyrtarëve. Rasti Dehari, është ndër rastet më të rënda në Kosovën e pasluftës. Institucionet duhet të zbardhin secilën rrethanë. Ministria e Drejtësisë do të adresojë secilën shkelje dhe do të jetë në shërbim të institucioneve të drejtësisë për zbardhjen e këtij rasti”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

LEXO EDHE KETE

Detaje shokuese, ja çfarë u sekuestrua në Deçan e Gjakovë

Krejt këto veprime u morën afro pas 7 vjet më vonë.

Por si erdhi deri tek vdekja e Deharit?

Astrit Dehari së bashku me pesë aktivistë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje u arrestuan si të dyshuar për sulm terrorist ndaj Kuvendit të Kosovës.

Gjithçka ndodhi në mesnatën e 5 gushtit të vitit 2016.

Sipas raportimeve dy prej aktivistëve të Vetëvendosjes me një motor ishin ndalur pranë Kuvendit dhe njëri nga ta ka nxjerrur një raketahedhëse dore duke e goditur pastaj objektin e Kuvendit.

Motori që u përdorë për kryerjen e kësaj vepre u gjetë vetëm pastaj i djegur në afërsi të pishinës së Gërmisë.

Nga organet kompetente të drejtësisë me të parë skenën e krimit ngjarja u cilësua si akt terrorist.

Nën petkun e Prokurorisë Speciale, drejtoria antiteror e policisë nisi hetimin për ta zbardhur rastin. Me të filluar hetimet, të dyshuarit e parë ishin aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje që në atë kohë kundërshtuan ashpër demarkacionin me Malin e Zi e Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, apo siç i thonë nga VV “Zajdenicën”.

Afro një muaj pas sulmit mbi Kuvendin, Drejtoria kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, të ndihmuar edhe nga njësitet elite zhvilluan një aksion për kapjen e të dyshuarve. Fillimisht u arrestuan 6 aktivistë të Vetëvendosjes.

Frashër Krasniqi, Petrit Ademi, Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Hali e Astrit Dehari përfundojnë të arrestuar.

Me vendim të gjykatës të pesë prej tyre përfunduan në paraburgim ndërkohë u lirua Petrit Ademi meqenëse nuk kishte prova se është i përfshirë në rast.

Astrit Dehari u dërgua në qendrën e paraburgimit në Prizren. Atje qëndroi deri me 5 nëntor të vitit 2016. Në pasdite kur edhe ishte koha e shëtitjes, Astriti kishte vendosur të mos dilte nga çelia.

E këtu edhe ishin momentet e fundit të jetës së tij.

Ndërkohë që thuhej se gardiani i kësaj qendre ishte kujdesur për sigurinë e Deharit, shokët e çelisë me t’u kthyer brenda, më saktësisht në orën 15:53 e gjetën atë me një shishe mjalti në gojë. U lajmëruan edhe mjekët, në gjendje të rëndë atë e nisën për në emergjencë, pak më vonë doli konstatimi që tashmë aktivisti i Vetëvendosjes kishte ndërruar jetë.

E që nga ajo kohë gjithçka ka mbetur një mister. Derisa institucionet përkatëse kontaktuan se Astrit Dehari kishte kryer vetëvrasje me këtë spo pajtohet kurrsesi familja e partia e tij. Ata po thonë se u vra.

Rrethanat e vdekjes së Astrit vazhdojnë të mbesin të paqarta

Familjarët atëkohë, përmes edhe avokatit të tyre, Tomë Gashi kërkuan që një ekspertizë të kryhet në Zvicër.

Ndërkohë, më 12 prill të këtij viti, Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se ka pranuar raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Llozanë të Zvicrës, më 1 prill të këtij viti për rastin e Astrit Deharit.

Sipas Speciales në këtë raport nga mjekët zviceranë është thënë se analizat e ADN-së, të marra nga objektet që kanë qenë në kontakt me tashmë të ndjerin, Astrit Deharin, nuk kanë treguar profil tjetër të ADN-së përveçse të vetë të ndjerit.

Pala kosovare ka dërguar për analizë disa nga objektet që janë gjetur në vendin e ngjarjes në ditën kritike (5 nëntor 2016) si brisku i rrojës, stilolapsi i lidhur me një lidhëse këpucësh e një pjesë metali.

“Analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të ADN-së përveç të atij, Astrit Dehari”, thuhet në raportin e ekspertizës së Llozanës për këtë rast.

Tutje analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë e kafeinës dhe mosprani të etanolit (përbërës i pijeve alkoolike).

“Sa i përket eks-humimit të trupit të të ndjerit nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të riekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, raporti është pranuar në gjuhën frënge më 1 prill, ndërsa më 8 prill e kanë pranuar të përkthyer.

“Prokuroria Speciale njofton se raporti i ekspertizës është pranuar në gjuhë frënge dhe më pas është dërguar për përkthim në gjuhë shqipe. Ndërkaq, më datë 08.04.2022, rreth orës 15:30, kemi pranuar raportin e përkthyer në gjuhë shqipe”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Si u konstatua rasti i Deharit si vetëvrasje?

Ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha thirri konferencë për media me 18 nëntor të vitit 2016. Nga aty deklaroi se nga të gjitha ekzaminimet e kryera demonstrojnë se Astrit Dehari ka kryer vetëvrasje.

“Në këtë fazë të hetimeve nuk është gjetur asnjë provë apo dëshmi e mundshme se ka ndonjë ndërhyrje nga faktorët e jashtëm që rezulton me lëndimin apo dëmtimin fizik tani të të ndjerit Astrit Dehari, dhe nuk kemi asnjë person të dyshuar për vepër penale apo që mund të ketë shkaktuar vdekjen. Pra të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë se ky rast ishte vetëvrasje”, ka thënë Hoxha.

Pas kësaj deklarate, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ngriti kallëzim penal ndaj Sylë Hoxhës.

Tomë Gashi sqaronte se kallëzimi penal i ushtruar ndaj Hoxhës kishte të bënte me video-incizimet që ishin bërë publike në atë kohë në njërën nga televizionet e Kosovës, ku shihej koha kur ishte gjetur Astrit Dehari në çelinë e tij.

Sipas avokati, Prokuroria Specialja publikoi një komunikatë për media me komente të vetat.

Tutje, Gashi thoshte se “Prokuroria Speciale duhet të tregojë të vërtetën – pa manipulime”.

Ai ia ka drejtuar edhe disa pyetje prokurorisë.

“Prokuroria për të mos e manipuluar opinionin do të duhet fillimisht të tregojë se a kanë marrë gjurmë të ADN-së nga të burgosurit që kanë qenë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 05.11.2016, a kanë marrë gjurmë të ADN- së i gjithë stafi i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, a kanë marrë gjurmë të ADN-së nga ana e gardianëve dhe policëve të cilët Astrit Deharin e kanë nxjerrë të gjallë – me shenja jete e nga Qendra e Paraburgimit në Prizren dhe të vdekur – pa shenja jete e kanë dërguar në spitalin rajonal të Prizrenit”, ka shkruar Gashi.

Familja kërkon që rasti të hetohet nga ekspertë të jashtëm, jo vendorë

Familja e Astrit, nëna Xhemilja e babai Avniu vazhdojnë të thonë se djali i tyre është vrarë.

Ata qysh nga fillimi i hetimit të rastit nuk i besuar gjetjeve të institucioneve të drejtësisë në Kosovë.

Kërkuan që hetimi të kryhet nga ekspertë të jashtëm.

Ekspertiza e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Llozanës në Zvicër të vitit 2019, sipas avokatit të familjes, Tomë Gashit, ka eliminuar edhe hipotezën e vetëvrasjes së, Astrit Dehari.

“Ekspertiza e Institutit te Mjekësisë Ligjore te Llozanës ne Zvicër e shtatorit te vitit 2019 ka eliminuar edhe hipotezën e vetëvrasjes se Astrit Deharit”.

“ …Hipoteza e vetëvrasjes së z.Dehari Astrit me mjetet e paraqitura nga mjeket ligjor nuk duket e vërtetë. Për këtë arsye rrethanat e vdekjes se z.Dehari Astrit janë, sipas mendimit tone, të përfshira me një dyshim te intervenimit te personit te trete ne procesin fatal…”, thuhet në ekspertizën e vitit 2019, sipas Gashit.

Familja Dehari kërkon përjashtimin e prokurorit, Afrim Shefkiu nga hetimet për vdekjen e djalit të tyre

Në muajin gusht të këtij viti, familja Dehari përmes një konferencë për media kanë kërkuar përjashtimin e prokurorit, Afrim Shefkiu nga rasti i vdekjes së Astrtit Deharit.

Nëna e të ndjerit, Xhemilja, tha se prokurori në fjalë nuk ka kthyer përgjigjet në pyetjet e familjes.

“Kemi bërë kërkesën për largimin e prokurorit Afrim Shefkiu. Puna e tij na ka detyruar të bëjmë këtë kërkesë. Që 4 vjet asnjë fjalë nuk e kemi prej tij. Kemi shkuar kemi biseduar nuk na ka dhënë asnjë sqarim. Po të ish vra Astriti në shtëpinë tonë, kisha dalë vet me tregu”, tha e ëma e Astritit në ditën e konferencës.

Kritika për neglizhencën e treguar nga prokurori Shefkiu pati edhe nga babai i Astritit, Avniu.

“Që nga fillimi ky proces është manipuluar dhe është keqpërdorur shumë, për këtë arsye jemi detyruar të kërkojmë ekspertë të jashtëm. Duke parë që çdo gjë po fshihet, po keqpërdoret e morëm një hap të tillë. Më 12 prill, në vend që të na dërgojnë neve raportin shtesë, ia kanë dërguar avokatit dhe kanë nxjerr në media dy pika të raportit. Në vend që të merret prokurori Afrim Shefkiu me çështjen, ai është marrë me media”, ka thënë Avni Dehari.

Astrit Dehari ishte i martuar, në atë kohë ai e kishte bashkëshorten shtatzënë, tanimë vajza e tyre, Arsa ka 6 vjet e gjysmë. Deri tani për rastin e tij janë suspenduar tre zyrtarë të shtetit./Botapress.info/

ngjashme