Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri ka folur për media pas takimit të Kryesisë së Kuvendit ku ka folur edhe për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve dhe takimin e sotëm të presidentes Vjosa Osmani me partitë politike.
Tahiri tha se PDK nuk ka marrë deri më tash asnjë kërkesë për shtyrje të zgjedhjeve, por se kanë qenë të gatshëm për shkurtimin e fushatës zgjedhore.
“Në radhë të parë, deri më tash, Partisë Demokratike nuk iu është drejtuar asnjë kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve. Por kemi parë nevojën e ndërmarrjes së disa masave në mënyrë që fushata elektorale të mos ndikojë në përkeqësimin e situatës si rezultat i grumbullimit të njerëzve. Ne kemi qenë të gatshëm të ulemi dhe të diskutojmë për masat dhe shkurtimin e fushatës zgjedhore”, tha ai.
Më tutje, Tahiri tha se qëndrimi i PDK’së do të përcjellet nga kryetari i këtij subjekti politik Memli Krasniqi pas takimit të sotëm me Osmanin.
“Në anën tjetër, deri sot nuk kemi pasur kurrëfarë kërkese dhe rrjedhimisht nuk mund të flas për diçka të tillë. Sot ju e dini se është një takim në orët e pasditës dhe PDK do të jetë pjesë e këtij takimi. Do të shohim nëse do të kemi një kërkesë të tillë. Për neve çka mbetet është se zgjedhjet do të mbahen në afatin kohorë. Unë prap po them, qëndrimin e PDK’së do ta shprehë kryetari i saj Memli Krasniqi. Nuk mund të flas hipotetikisht, për ketë do të japë qëndrim kryetari Memli Krasniqi.”, tha Tahiri.
Në anën tjetër, LDK dhe AAK kanë kundërshtuar ashpër mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale, ani pse do të marrin pjesë në takim me presidenten Vjosa Osmani. /Botapress.info/