Botapress 14 Qershor – Nesër në Bruksel do të zhvillohet takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Siç raportojnë mediat në Serbi, pas takimeve të ndara mes shefit të diplomacisë së Jashtme të BE-së, Joseph Borrell, me Kurtin e Vuçiqin, do të fillojë takimi trepalësh.
Takimi do të filloj rreth orës 10:30 ku do të marrin pjesë Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq, Joseph Borrell dhe Miroslav Lajçak.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka njoftuar se Albin Kurti ka udhëtuar në Bruksel me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
Ai tha se takimi i nesërm nuk është takim i dialogut, por takim për dialogun, për dialogun e ardhshëm.
“Siç kemi thënë në vazhdmësi, takimi i nesërm nuk është takim i dialogut, por takim për dialogun, për dialogun e ardhshëm. Aty kryeministri Kurti do të paraqes vizionin dhe qëndrimet tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për të, e i cili duhet të jetë parimor dhe i drejtë, në shërbim të popujve të të dy vendeve dhe i shkëputur nga ai i kaluari. Pra nga takimi synohet dakordim rreth kapitullit të ardhshëm të dialogut dhe agjendës së tij, pas diskutimeve shterruese të ditës së premte në Kuvendin e Republikës së Kosovës për dialogun e mëparshëm dhe dëmet e shkaktuar nga ai”, u shpreh Kryeziu./Indeksonline/