Nuk po gjykohet UÇK-ja, u tha në Gjykatën Speciale të hënën, në ditën e parë të gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Shumë shqiptarë e shohin me mosbesim gjykatën e vendosur në Hagë dhe mijëra prej tyre marshuan të dielën në Prishtinë në mbështetje të ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të luftës. Ata nuk e përjetojnë këtë gjykatë si të Kosovës, pasi e konsiderojnë atë si njëetnike dhe diskriminuese. Në Hagë ka kohë që ka nisur një përpjekje për t’iu afruar popullit.
Mijëra shqiptarë marshuan të dielën në qendër të Prishtinës në mbështetje të ish-udhëheqësve të luftës, para se të nesërmen të niste gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, të cilët po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë nën akuzat se kanë kryer krime ndaj serbëve, romëve dhe kundërshtarëve politikë shqiptarë.
Java përmes fotografive – nga “Liria ka Emër” e deri te bora në prill
Për dhjetëra-mijëra qytetarë që i mbushën sheshet e kryeqytetit me flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës s’ka dyshim se akuzat e Speciales janë “politike”. Këtë bindje para mikrofonit të T7 e shprehu atë ditë edhe një burrë rreth të 50-ave. “E gjithë Kosova e di që po bëhen padrejtësi të mëdha. Ky është total gjykim politik”.
Zëdhënësi Michael Doyle thotë në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express se Gjykata Speciale “merret vetëm me përgjegjësinë penale individuale”.
Alex Whiting, i cili e ushtron detyrën e kryeprokurorit të Speciales, e theksoi këtë gjë të hënën në fillim të deklaratës hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
“Kjo çështje gjyqësore nuk kërkon të procedojë UÇK-në. Nuk i akuzon të gjithë anëtarët e saj. Nëse dikush e thotë këtë, e ka gabim, është e rreme. Thjesht nuk është e vërtetë”, tha ai.
Pyetjes se si mund t’i garantojë Specialja pjesëmarrësit në atë marsh se do të ketë një proces të drejtë gjykimi, zëdhënësi i gjykatës i përgjigjet duke marrë për referencë ligjin me të cilin ajo u themelua në vitin 2015.
“Dhoma e Specializuar e Kosovës është një gjykatë penale e themeluar sipas ligjit të Kosovës për të ofruar procedura të drejta, të paanshme dhe të pavarura në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të drejtësisë penale, në të cilat të drejtat e të akuzuarve mbrohen, dëshmitarët mbrohen dhe viktimat mund të marrin pjesë me dinjitet”, tha ai, duke shtuar se këto pasqyrohen në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar si dhe në Rregulloren e Procedurës dhe Provave. Këto, tha se “gjyqtarët i zbatojnë kur ata janë duke zhvilluar gjykimet”.
“Gjykata dhe gjyqtarët janë të pavarur. Kjo do të thotë se ata nuk marrin udhëzime nga asnjë institucion apo person i jashtëm. Sipas ligjit, Presidenti, gjyqtarët dhe sekretari bëjnë një deklaratë solemne për të ushtruar funksionet e tyre në mënyrë të pavarur dhe të paanshme”, theksoi Doyle.
Besueshmëria e kontestuar
Duhej të bëhej, thonë pothuajse të gjithë ata që ishin deputetë dhe në vitin 2015 i ngritën duart për ta miratuar themelimin e Gjykatës Speciale. Prej atëherë, kjo gjykatë u cilësua si njëetnike dhe u akuzua se i diskriminon shqiptarët, edhe nga ata që vetë e votuan. Një argument që përdoret vazhdimisht kundër Speciales, është fakti se aty mund të deponojnë dosje edhe institucionet serbe të drejtësisë. Sado që këto dosje të prokurorisë serbe do të kalojnë nëpër filtrat e gjykatësve kjo shihet me mosbesim në Kosovë.
Për disa vjet, kjo gjykatë nuk bëri asnjë lëvizje, dhe besueshmëria e saj tashmë ishte njollosur. Në proces, besueshmëria e saj duket se u dëmtua më së shumti nga rrjedhja e dokumenteve në vitin 2020, kur po përgatiteshin aktakuzat e para. Dokumentet e klasifikuara ishin dërguar në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë. Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati u arrestua e më pas u dënua bashkë me nënkryetarin Nasim Haradinaj, për shkak se e kishin vënë atë material në dispozicion të njerëzve në disa konferenca për shtyp. Të dy më pas u dënuan me nga katër vjet e 3 muaj burgim.
Akuzat se u furnizua me të dhëna nga Serbia, proceset e stërzgjatura paragjyqësore e shkresat e Prokurorisë i kanë indinjuar jo pak njerëz në Kosovë.
Gjithashtu, askush më nuk pret që kjo gjykatë do t’i gjykojë të gjitha krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimet e tjera që janë kryer midis janarit të vitit 1998 dhe dhjetorit të vitit 2000, pavarësisht se kush ka qenë autor i tyre – siç premton Specialja – edhe pse ligji me të cilin u themelua e detyron që të mos i gjykojë vetëm shqiptarët.
Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar parasheh që nën juridiksionin e Gjykatës Speciale të hyjnë krimet me viktima apo autorë të etnive të ndryshme të ish-Jugosllavisë.
“Dhomat e Specializuara kanë juridiksion mbi personat fizik sipas dispozitave të këtij ligji. Në përputhje me juridiksionin e personalitetit aktiv dhe pasiv të gjykatave të Kosovës sipas ligjeve penale të zbatueshme që kanë qenë në fuqi në mes të periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000, dhe përveç juridiksionit të tyre territorial të paraparë në nenin 8, Dhomat e specializuara kanë juridiksion mbi personat e nënshtetësisë Kosovare/IRJ apo mbi personat që kanë kryer krime në kuadër të juridiksionit të tyre lëndor kundër personave me nënshtetësi kosovare/IRJ kudo që janë kryer ato krime”, thuhet në nenin 9 të këtij ligji.
Deri më tani, Gjykata Speciale po i gjykon vetëm shqiptarët. Tetë të akuzuarit e parë të Speciales janë shqiptarë, ish-udhëheqës politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përpjekja e Gjykatës Speciale për ta fituar besimin e shqiptarëve
Ndërsa besueshmëria e Gjykatës Speciale shpesh vihet në diskutim, në Hagë ka një angazhim për ta (ri)fituar atë.
“Për t’u dhënë njerëzve në Kosovë mundësinë për të bërë pyetje dhe për t’u angazhuar në një dialog me përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara, ekipi informues i Dhomave të Specializuara ka udhëtuar në Kosovë pothuajse çdo muaj për t’u takuar me komunitete të ndryshme në mbarë Kosovën, për të shpjeguar mandatin dhe punimet e institucionit dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të njerëzve”, pati treguar Specialja në dhjetor të vitit të kaluar, në një përgjigje për Express.
Drejtorët e Dhomave të Specializuara, kryetarja dhe sekretari kishin qenë shumë të angazhuar në takimin e programit informues me shoqërinë civile dhe mediat në Kosovë, në një përpjekje për t’i sjellë procedurat para gjykatës “më afër popullit në Kosovë”.
“Deri më tani, Dhomat e Specializuara kanë realizuar mbi 130 takime ndërvepruese me audiencën në Kosovë, duke u angazhuar drejtpërdrejt me rreth 3000 persona”, thuhej në përgjigje.
Në Hagë thonë se po angazhohen konsiderueshëm për t’i bërë procedurat para gjykatës sa më transparente dhe të qasshme.
“Ne besojmë se duke qenë sa më transparentë, njerëzit do të shohin që gjykimet para gjykatës zhvillohen në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të sigurt, duke siguruar që dëshmitarët të jenë të sigurt, zërat e viktimave të dëgjohen dhe të drejtat e të akuzuarve janë të respektuara”, thuhej në përgjigjen e Speciales.