Deputeti i LDK’së, Besian Mustafa, ka deklaruar se Ministria e Financave nuk ka procesuar sot pagat për asnjërin nga 80 mijë zyrtarët publikë, përfshirë mjekët, policët, zjarrfikësit e ushtarët e FSK’së.
Sipas Mustafës, Ligji ia lejon Ministrisë t’i procesojë pagat deri më 5 tetor në rast se ka nevojë për kohë shtesë t’i sigurojë paratë, por një gjë e tillë, Mustafa thotë se nuk duhet të ndodhte, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kjo pasi Ministria e Financave i ka 800 milionë euro në llogari bankare, të deklaruara nga vetë ministri Hekuran Murati.
Gjenden mbetje mortore në Novobërdë, dyshohet se është trupi i biznesmenit Bedri Rexhepi
“Ligji ia lejon Ministrisë të procesojë pagat deri më 5 tetor, në rast se ka nevojë të sigurojë mjetet. Por, MF ka 800 milionë euro në llogari bankare, të konfirmuara nga vet ministri. E në anën tjetër qytetarët po përballen me një nga krizat më të thella ekonomike dhe energjetike dhe me rritje të frikshme të çmimeve! Si t’i paguajnë këta qytetarë faturat e energjisë, ujit, telefonit, këstet e kredive kur Qeveria nuk ua proceson pagat”, shkroi Mustafa në Facebook.
Këtë veprim, deputeti i LDK’së e sheh si ndëshkim të qëllimshëm për zyrtarët publikë nga ana e Qeverisë. /Reporteri.net/.
Postimi i plotë:
Sot, Ministria e Financave nuk ka procesuar pagat për asnjë nga mbi 80.000 zyrtarët publik! Pra, as për mjekët, as policët, as zjarrfikësit, as ushtarët e FSK… askujt!
Ligji ia lejon Ministrisë të procesojë pagat deri më 5 tetor, në rast se ka nevojë të sigurojë mjetet. Por, MF ka 800 milionë euro në llogari bankare, të konfirmuara nga vet ministri. E në anën tjetër qytetarët po përballen me një nga krizat më të thella ekonomike dhe energjetike dhe me rritje të frikshme të çmimeve! Si t’i paguajnë këta qytetarë faturat e energjisë, ujit, telefonit, këstet e kredive kur Qeveria nuk ua proceson pagat?!
Pse pra nuk janë procesuar pagat sot? Ky duket qartë se është ndëshkim i të gjithë zyrtarëve publik, është presion i llojit “detyroni mësuesit të kthehen në shkolla, përndryshe as juve nuk ua procesojmë pagat”.
Qeveria ta ndalë urgjentisht këtë qasje të ndëshkimit kolektiv dhe të mos dëmtojë edhe më tej gjendjen e rënduar ekonomike të qytetarëve tanë!