Vetëm 49 anesteziologë janë në marrëdhënie pune aktualisht në QKUK, teksa numri po konsiderohet i pamjaftueshëm për të kryer shërbimet që ofrohen aty. Në konkursin e fundit, në gusht të këtij viti u patën pranuar vetëm katër anesteziologë.
Kosova është në hall me mungesën e anesteziologëve. Përderisa vitin e kaluar në QKUK punonin 54 anesteziologë, këtë vit në marrëdhënie pune në QKUK janë vetëm 49 sosh.
“U asfiksua, pastaj e qëlluan” – si u vra 14 vjeçarja nga Shkupi, gazetari zbulon detaje
Në një përgjigje për Gazetën Express, nga Zyra për Informim në SHSKUK kanë thënë se në konkursin e fundit janë punësuar edhe katër anesteziologë të rinj.
Sipas tyre, nuk ka pasur kërkesë për më shumë anesteziologë.
“Në QKUK janë të punësuar për momentin 49 anesteziologë. Nga konkursi i fundit i datës 30.08.2023 kur janë pranuar 4 anesteziologë të rinjë, nuk kemi pasur interesim/kërkesë të anesteziologëve – specialist të tjerë për punësim në QKUK se me siguri do të hapej konkurs dhe do te pranoheshin”, thuhet në përgjigjen e tyre.
E Drejtori i Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv, Gazmend Spahija në shkurt të këtij vitit pati thënë për Express se vetëm në vitin 2022, 12 anesteziologë e kanë ndërpre kontratën e punës në QKUK.
“Në vitin 2022, 12 anesteziologë e kanë ndërprerë kontratën me QKUK-në, 1 anesteziolog ka ndërruar jetë, 1 është pensionuar, ndërsa janë pranuar 4 specialist të rinj, ku 2 prej tyre e kanë lëshuar punën me kërkesë të tyre”, pati thënë Spahija për Gazetën Express.
Disa nga arsyet që kanë ndikuar në ikjen e kësaj kategorie të mjekëve nga QKUK-ja është edhe largimi nga vendi.
Express ka provuar që ta marr një qëndrim për këtë çështje edhe nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
E mungesa e anesteziologëve është një problem mjaft shqetësues.
Kjo pasi mund të ketë ndërprerje të operacioneve apo lista të gjata të pritjes për të hyrë në operacion në mungesë të këtij kuadri.