Në një konferencë për media gjatë ditës së djeshme, ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, i akuzoi të gjithë. Mediat, opozitën, Prokurorinë por edhe Policinë. Për këta të fundit, deklaroi se i kanë marrë dokumentet pa prezantuar ndonjë certifikatë të sigurisë që ndërlidhet lidhur me informacionet konfidenciale.
“Policia e Njësisë hetuese nuk ka prezantuar certifikate sekrete, pra, kërkesa e Policisë për pranim-droëzim të këtyre provave dhe dokumenteve ka qenë në kundërshim me Ligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar”, ka thënë Hajdari, në konferencën për media.
“Më gjej katër dëshmitarë katolikë”: Del fotografia e Ridvan Muharremit me Ndue Gjinajn
Por, kur e pyetën gazetarët nëse ajo vetë e posedon një licencë të tillë të sigurisë, Hajdari nuk u përgjigj konkretisht. Tha vetëm se është zbatuar legjislacioni në fuqi.
“Zyrtarët tanë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me AKI-në, të gjitha procedurat për klasifikim i kanë trajtuar sipas legjislacionit në fuqi”, është përgjigjur Hajdari.
Pra, ministrja i ka akuzuar policët se nuk e kanë poseduar një licencë të cilën as ajo vetë nuk e ka. Kjo pavarësisht se ka pasur dijeni, e madje edhe ka nënshkruar kontrata që vlerësohen të klasifikuara (konfidenciale dhe sekrete).
Por, për të pasur licencë të tillë siç e përmend ministrja Hajdari, fillimisht duhet të tejkalohet një procedurë tjetër. Duhet të bëhet verifikimi sipas Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë.
Ky verifikim deri së fundmi me ligjin e vjetër është bërë nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë. Me ndryshimin e ligjit, bëhet nga Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar. Mënyra e verifikimit dallon varësisht nëse kemi të bëjmë me informacion konfidencial, sekret apo top sekret.
“Autoriteti Verifikues ia lëshon lejen mbi sigurinë vetëm atij personi, i cili pas kryerjes të një procedure të verifikimit të sigurisë në pajtim me këtë ligj është përcaktuar si rrezik i pranueshëm për sigurinë. Leja e sigurisë tregon qartë nivelin e informacionit të klasifikuar, në të cilën personi që e ka kaluar procedurën e verifikimit të sigurisë mund të ketë qasje. Leje e sigurisë për një nivel të caktuar të klasifikimit i jep bartësit qasje edhe në informacionet me nivel më të ulët të klasifikimit. Çdo institucion publik i bindet vendimit të Autoritetit Verifikues dhe nuk i jep qasje në informacione të klasifikuara një personi të cilit i është refuzuar leja e sigurisë”, thuhet qartazi në Ligjin për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë.
Ata që merren me dokumente të klasifikuara duhet të mbushin një pyetësor ku parashihen: të dhënat personale, arsimimi, çrregullimet mendore apo emocionale, përdorimi i drogës ose alkoolit, të dhënat për veprat penale, masat disiplinore, etj.
Duke ditur se informacionet për rezervën shtetërore janë klaisifkuar si sekret me vendim të qeverisë në vitin 2022, atëherë procedura për verifikim nga AKI-ja është edhe më komplekse.
Madje, sipas ligjit, edhe operatorët ekonomikë për nënshkrimin e një konkrate sekrete, duhet të kenë kaluar verifikimin e sigurisë.
“Operatorët Ekonomik të interesuar për të marrë pjesë në një prokurim të klasifikuar në nivelin “SEKRET” dhe “KONFIDENCIAL”, duhet të jenë të pajisur më parë me nivelin e kërkuar të verifikimit të sigurisë. Personeli që përfaqëson Operatorin Ekonomik në prokurimin e klasifikuar dhe individët e tjerë, që do të kenë qasje tek informacioni i klasifikuar, duhet të jenë të certifikuar përshtatshmërisht, sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi”, thuhet në ligj.
Cila është procedura e verifikimit sipas ligjit?
“Autoriteti Verifikues ia lëshon CSP vetëm atij personi i cili pas kryerjes të një procedure të verifikimit të sigurisë në pajtim me legjislacionin në fuqi është përcaktuar si rrezik i pranueshëm për sigurinë. 2. CSP tregon qartë nivelin e informacionit të klasifikuar, në të cilën personi që e ka kaluar procedurën e verifikimit të sigurisë mund të ketë qasje. CSP për një nivel të caktuar të klasifikimit i jep bartësit qasje edhe në informacionet me nivel më të ulët të klasifikimit. 3. Çdo titullar i institucionit publik obligohet qe brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve të zbatojë vendimin e Autoritetit Verifikues dhe nuk jep qasje në informacione të klasifikuar një personi të cilit i është refuzuar CSP”, thuhet në ligj.
CSP njihet si certifikata e personelit të sigurisë. CSP për informacionet e nivelit sekret pas marrjes, vlen për 7 vjet. Ajo pastaj mund të ripërtrihet, varësisht nga përmbushja e kushteve ligjore.
Ky Ligj ka pësuar disa ndryshime së fundmi dhe ai i vjetri është shfuqizuar.