Vendimin e ka nxjerrë Gjykata Themelore në Prishtinë më 2019, por pagesa është kryer në dhjetor të vitit 2021, ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA). Rasti ka të bëjë me pronën e ish Ndërmarrjes Shoqërore “Urata”, e cila me vendim të ish Ministrisë së Administratës Publike më 8 prill, 2010 ishte dhënë në shfrytëzim për Inspektoratin e Policisë së Kosovës.
Vendimin e kishte nxjerrë asokohe ish-ministrja e MAP, Edita Tahiri.
Tetë muaj më vonë, NSH “Urata” ishte privatizuar nga biznesmeni Ragip Mustafa, me origjinë nga Komuna e Podujevës.
Kësisoj, një marrëveshje ishte arritur 12 vjet më parë mes MAP-së dhe pronarit të ri për shfrytëzimin e pronës për nevoja të IPK-së. Çmimi i caktuar për Ministrinë e Administratës Publike vlente 22,850 euro në muaj. Prona e re e sipërmarrësit Mustafa ishte shfrytëzuar për tri vjet nga Ministria. Por, një problem i madh ishte shfaqur në këtë periudhë. Shteti kishte dështuar të kryente obligimet.
“Edhe pas shkresave të vazhdueshme nga IPK-ja drejtuar ish MAP-it për një zgjidhje sa më të shpejtë për akomodim, ish MAP-i nuk ka ndërmarrë asnjë hap dhe objekti është shfrytëzuar deri me datën 20.05.2013”, thuhet në raportin e auditimit për MPB-në, raporton Paparaci.
Mustafa kishte bërë ankesë në gjykatë dhe e kishte fituar rastin ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme më 2019.
Por, obligimin për ekzekutimin e borxhit ndaj Mustafës, si pasojë e planifikimeve të gabuara të pararendësve të tij, e ka marrë përsipër ministri aktual Xhelal Sveçla.
Më 21 dhjetor të vitit të kaluar, Ministria e udhëhequr prej Sveçlës nxori vendim për kryerjen e pagesës në vlerë totale 603 mijë euro.
“Pagesa është bërë me datën 21.12.2021 në vlerë totale prej 603,463€, prej tyre 557,669€ janë paguar në emër të qirasë, ndërsa pjesa tjetër prej 45,794€ janë kosto shtesë”, ka gjetur Auditori Gjeneral.
Sipas Auditorit të Përgjithshëm, mos-marrja e vendimeve me kohë ndikon që këto pagesa të realizohen përmes vendimeve gjyqësore, e të cilat kanë edhe shpenzime tjera shtesë.
Po ashtu, thuhet se në të njëjtën kohë ndikon edhe në rritjen e shpenzimeve të pa planifikuara.
Auditori ka rekomanduar ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, të siguroj që vendimet e tilla të merren me kohë sipas kërkesave ligjore me qëllim që mos të dëmtohet buxheti i ministrisë me kosto shtesë. /Botapress.info/